Pemët dhe perimet nga Maqedonia janë të sigurta

Dyshimi se pemët dhe perimet që hyjnë nga Maqedonia në Kosovë, kanë përmbajtje të lartë të pesticideve, janë hedhur poshtë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës. Zyrtarë të kësaj Agjencie theksojnë se mostrat e pemëve dhe perimeve janë marrë dhe dërguar për analiza menjëherë pas njoftimit për dyshimin se në këto produkte ka mbetje te pesticideve.
“Ne kemi ngrit nivelin e kontrollit dhe kemi marrë mostra për analizë nga secila ngarkesë që ka hyrë nga Maqedonia dhe Shqipëria. Pamundësia që këto analiza të bëhen në laboratorët brenda vendit, mostrat i kemi dërguar në Laboratorët e certifikuara ndërkombëtarisht jashtë vendit. Kjo ka bërë që të kemi vonesa në kthim të rezultateve. Shumica e rezultateve të mostrave kanë arritur dhe janë negative që do të thotë se mbetjet e pesticideve janë brenda normave te lejuara”, theksoi për portalin “Ferma Ime”, Lamir Thaçi, zëdhënës i AUV-së.
Dyshimet për këto produkte që do të ndikonim dëmshëm në shëndetin e njeriut, kanë ndikuar edhe tek dyqanet që merren me shitjen e tyre.
Këtë e konfirmon për portalin “Femra Ime” Armend Avdyli, shitës në një dyqan të pemëve e perimeve. “Ka dy javë që qytetarët nuk kërkojnë edhe shumë prodhime që hyjnë nga Maqedonia. Jo vetëm tranguj por edhe produkte tjera që origjinën e kanë nga shteti maqedonas. Kjo na ka shkaktuar humbje në shitje, sepse i kemi blerë dhe tani na kanë mbetur kështu. Askush nuk i kërkon”, thekson i mllefosur shitësi Avdyli.
Por, pas dyshimeve, a do të ndalohet importi i produkteve nga Maqedonia e Shqipëria?
Lamir Thaçi, zëdhënës i AUV-së, thekson se një gjë e tillë mund të bëhet vetëm atëherë kur analizat konfirmojnë rrezikun e produkteve. “Sa herë që paraqitet dyshimi i bazuar apo nevoja e arsyeshme, mund t`i ndalojmë produktet për t`i verifikuar përmes analizave dhe vetëm atëherë kur laboratorët konfirmojnë, ne nxjerrim vendim për t`i ndaluar apo lëshuar në treg të brendshëm. Produktet e dyshimta kanë qenë nga Maqedonia dhe Shqipëria. Tani nga këto shtete kërkohet që përveç dokumentacionit të rregullt, ngarkesat duhet të pajisen edhe me raport të analizave për mbetje të pesticideve. Presim që të kthehen edhe disa rezultate të analizave të cilat i kemi dërguar ditëve të kësaj jave”, thekson mes tjerash Thaçi.
Ndryshe, dyshimi se pemët dhe perimet ishin trajtuar në mënyrë të pakontrolluar gjatë kultivimit të tyre në Maqedoni, ishin ngritur shqetësimet se ato prodhime nuk janë të shëndetshme. Dyshimet u bënë më evidente pas kontrollimit të trangujve në Maqedoni, të eksportuara në Kroaci, si dhe rrushit në Francë që rezultoi me përmbajtjen e pesticideve disa herë më shumë se sa normat e lejuara. /FermaIme/Telegrafi/














































