Site icon Telegrafi

PDK së shpejti publikon emrin e ministrit të ri të Inovacionit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ditë më parë ka larguar  nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë.

Në një konferencë me gazetarë, lideri i PDK-së bëri të ditur se sot i ka liruar nga detyra të gjithë të emëruarit e PDK-së që kanë aktakuza dhe që mbajnë pozita në institucionet publike.

Lexo po ashtu Veseli liron nga detyra të gjithë zyrtarët e PDK-së me aktakuza (Video)

Pas këtij vendimi të Veselit, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka dorëzuar dorëheqjen e tij tek kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

Kështu bëri të ditur vetë ministri Beqaj në një konferencë për media, ku tha se është plotësisht i bindur në pafajësinë e tij, shkruan Telegrafi.

Beqaj shtoi tha se drejtësia do ta vërtetoj pafajësinë e tij duke u bazuar në prova dhe fakte dhe shtoi se vepra për të cilën akuzohet nuk është vepër korruptive.

“Kam paraqitur dorëheqjen time tek kryeministri, Ramush Haradinaj. Konsideroj që ky është angazhim i përbashkët i të gjitha strukturave udhëheqëse ku jam edhe vet në PDK. Jam plotësisht i bindur që këto aktakuza janë të paargumentuara. Besoj që drejtësia do ta vërtetoj pafajësinë time duke u u bazuar në prova dhe fakte. Vepra që po akuzohem nuk ka asnjë nivel të korrupsionit. Për detaje do të flasim në gjykatë”, pati thënë Beqaj.

Lexo po ashtu Beqaj dorëhiqet nga posti i ministrit, vazhdon të jetë pjesë e PDK-së (Video)

Ndërsa pas dorëheqjes së ministrit Beqaj, janë bërë dhjetë ditë që Ministria e Inovacionit është duke u udhëhequr nga zëvendësministri.

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në një përgjigje dhënë Telegrafit ka thënë se është çështje ditës kur pritet që kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, të propozojë emrin për ministër të kësaj ministrie.

“Zëvendësimi i ministrit është çështje ditësh. Kryetari është duke i shqyrtuar propozimet e mundshme dhe besoj që shumë shpejt del me propozimin e emrit të ministrit për Ministrinë e Inovacionit”, ka thënë Krasniqi.

I pyetur se cilët emra janë në diskutim për të parin e kësaj ministrie, Krasniqi ka thënë se nuk mund të flas për emrat.

“Janë disa emra që janë duke u përmendur. Janë disa njerëz që kryetari është duke i shqyrtuar, por të cilët unë nuk mund t’i tregoj”, ka përfunduar Krasniqi.

Kurse vendimin e kryetari të PDK-së, Kadri Veseli, e kanë mirëpritur edhe vetë zyrtarët e kësaj partie./Telegrafi/

Exit mobile version