LAJMI I FUNDIT:

PDK e “betonon” fitoren në pesë komuna, në 21 të tjera në balotazh

PDK e “betonon” fitoren në pesë komuna, në 21 të tjera në balotazh

Numërimi i votave në rreth 90 për qind të vendvotimeve nga koalicioni i organizatave joqeveritare "Demokracia në veprim" konfirmon se fitues i zgjedhjeve të së shtunës është PDK-ja e Hashim Thaçit, që ka fituar 34 për qind në nivelin qendror, duke lënë shumë pas LDK-në, që dominoi skenën politike të Kosovës për 18 vjet me radhë.

PDK-ja gjithashtu prin në 21 nga komunat e Kosovës, por në 16 prej tyre kandidatët e kësaj partie do të duhet të garojnë në balotazh, kryesisht me kandidatët e LDK-së. Ndërkohë LDK-ja prin në katër komuna, por në asnjërën me përqindje të mjaftueshme për të fituar që në raundin e parë. Kandidatët e AAK-së udhëheqin në tri komuna të Dukagjinit.

ORA e Veton Surroit, sipas të gjitha gjasave, do të mbetet jashtë Parlamentit të Kosovës, për shkak se nuk e kaluar pragun e caktuar zgjedhor prej 5 për qind.

Sipas shifrave që prezantoi “Demokracia në veprim”, pas numërimit të fletëvotimeve nga mbi 1900 vendvotime nga 2323 sa kanë qenë gjithsej, PDK-ja ka marrë 34 për qind të votave, LDK-ja – 22 për qind, AKR-ja – 12, koalicioni LDD – PSHDK 10 për qind, AAK – nëntë dhe ORA- katër për qind.


Leon Malazogu nga organizata joqeveritare "Kipred", e cila bën pjesë në koalicionin “Demokracia në Veprim”, në një konferencë për gazetarë, të dielën pasdite, saktësoi se në rezultatet që po prezantojnë nuk përfshihen votat e hedhura me kusht, ato me postë. Sidoqoftë votat e panumëruara nuk besohet se do të ndryshojnë shumë përqindjen e votave të prezantuara të dielën.

Malazogu tha se vlerësimet e para janë se zgjedhjet kanë qenë të mira dhe të suksesshme, ndërkohë që ky rrjet i organizatave do të dalë me një raport përfundimtar për këtë aspekt nga fundi i javës së ardhshme.

Bazuar në rezultatet e deritashme, PDK-ja udhëheq edhe në nivelin lokal, në 21 komuna, por vetëm në Drenas, Skenderaj, Novobërdë, Leposaviq dhe Zubin Potok kandidatët e kësaj partie kanë fituar shumicën e nevojshme për t’u zgjedhur në raundin e parë.

Në 13 komuna të tjera, Gjilan, Sharr, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë, Lipjan, Kastriot, Rahovec, Prizren, Shtime, Shtërpcë dhe Malishevë, kandidatët e PDK-së do të shkojnë në balotazh me kandidatët e PDK-së, në Ferizaj dhe Viti me ata të LDD-së, ndërsa në Vushtrri me ish-kryetarin Muharrem Shabani të IQBD-së.

Nëse mbesin këto përqindje, kandidatët e PDK-së, gjithashtu do të garojnë në balotazh edhe në pesë komuna të tjera, ku aktualisht prijnë kandidatët e LDK-së. Përveç Prishtinës, ku Isa Mustafa i LDK-së udhëheq me 36 për qind ndaj Fatmir Limajt të PDK-së (25 për qind); LDK prin edhe në Istog, Podujevë e Fushë-Kosovë. Ndërsa në Suharekë, Sali Asllani udhëheq me vetëm 1 për qind para kandidatit të PDK-së, Enver Hoxhaj.

AAK-ja, e cila udhëhoqi vendin në mandatin e fundit, udhëheq në Deçan, ku kandidati i kësaj partie do të garojnë në balotazh me kandidatin e LDD-së; në Gjakovë kryeshefi aktual i Ekzekutivit Komunal, Pal Lekaj, prin për 20 për qind ndaj ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija, që ka marrë vetëm 21 për qind; dhe në Pejë, ku kandidati i kësaj partie do të rigarojë me Gazmend Muhaxherin e ORA-s.

Këto rezultate preliminare janë kontestuar nga LDK-ja. “Ne jemi në proces të numërimit dhe pritjes së informatave prej komisionerëve tanë nëpër terren… Tash për tash mund të them se të dhënat tona nuk janë shumë të përputhshme me ato që i japin disa OJQ, sikur është ‘Demokracia në veprim’, prandaj duhet të presim mbledhjen e këtyre të dhënave para se të dalim me të dhënët e tona preliminare”, tha zëdhënësi Vehbi Miftari, në një konferencë me gazetarë, të dielën.

Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka paralajmëruar se më së largu të martën, do të dalë me rezultatet preliminare zyrtare. “Ka ende vendvotime të panumëruara dhe ne presim që gjatë ditës së nesërme (e hënë) ky proces të kryhet, në mënyrë që më së largu të martën t’i kemi rezultatet preliminare”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Arianit Osmani.

Misioni i Këshillit të Evropës për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë ka vlerësuar se zgjedhjet e së shtunës ishin në pajtim me standardet ndërkombëtare. Por vëzhguesit e këtij misioni kanë shfaqur brengosjen me pjesëmarrjen e ultë të kosovarëve në këto zgjedhje.

Pjesëmarrja prej 45 për qind është një “rekord i zi” për Kosovën, e cila në katër palë zgjedhjet e pasluftës kishte një përqindje të lartë të votuesve (në zgjedhjet e vitit 2000 gati 80 për qind). “Për mua është e qartë se ky është një dëshpërim me politikanët, nga fakti se shumica prej tyre kanë qenë ose janë të korruptuar. Kjo situatë po i bën njerëzit të pavullnetshëm për të marrë pjesë në votime”, është shprehur udhëheqësja e delegacionit të Parlamentit të Evropës, Doris Pack.

Edhe Giovanni di Stasi, udhëheqës i Misionit të KE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve, tha se ka pritur një pjesëmarrje më të madhe të votuesve. “Nuk po flasim këtu vetëm për përqindjen prej 42 apo 43 të pjesëmarrësve, por duhet të themi se ky trend i pjesëmarrjes duhet të ndërpritet. Duhet të mendojmë se pse ky trend i pjesëmarrjes së votuesve po ulet dhe të kontribuojmë të gjithë që ky trend të rritet”, tha ai, para gazetarëve në Prishtinë.

Në trend Lajme

Më shumë
Mysafirët nga Serbia e njoftojnë Kurtin: Beogradi po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës për në Sanxhak

Mysafirët nga Serbia e njoftojnë Kurtin: Beogradi po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës për në Sanxhak

Siguri
Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, dyshohet për një të vrarë - pesë të plagosur dërgohen në QKUK

Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, dyshohet për një të vrarë - pesë të plagosur dërgohen në QKUK

Kronika e Zezë
Vrapi me pengesa i turizmit në Shqipëri: Rritja e pajustifikuar e çmimeve la shezlongët bosh

Vrapi me pengesa i turizmit në Shqipëri: Rritja e pajustifikuar e çmimeve la shezlongët bosh

Lajme
Brenda dy javëve, mjekët duhet të vendosin nëse do punojnë në spitalet publike apo private

Brenda dy javëve, mjekët duhet të vendosin nëse do punojnë në spitalet publike apo private

Lajme
Trupat italiane të KFOR-it dislokohen në Kosovë, të gatshëm të reagojnë ndaj çdo zhvillimi të situatës së sigurisë

Trupat italiane të KFOR-it dislokohen në Kosovë, të gatshëm të reagojnë ndaj çdo zhvillimi të situatës së sigurisë

Lajme
“Nuk jam takuar me Putinin prej dy vitesh”, Musliu nxjerr

“Nuk jam takuar me Putinin prej dy vitesh”, Musliu nxjerr "bllof" Vuçiqin për deklaratat në Pragë

Siguri
Kalo në kategori