Alec Baldwin do të mbetet ylli kryesor i filmit “Rust”, ndërsa pritet të vazhdojnë me xhirime.
Aktori 64-vjeçar po përballet me akuzat për vrasje të pavullnetshme në vdekjen e Halyna Hutchins në vitin 2021, pavarësisht këmbënguljes së tij se ai nuk e tërhoqi këmbëzën.
Bashkëshorti i Hutchins, Matt, i cili ndan djalin dhjetëvjeçar me kinematografen e ndjerë, do të vazhdojë si producent ekzekutiv – një rol që ai e mori si pjesë e një padie për vdekje të padrejtë.
Do të rikthehet edhe regjisori i “Rust”, Joel Souza, i cili mbeti i plagosur nga të shtënat e asaj dite.
“Filmi është në rrugën e duhur për t’u përfunduar”, tha avokatja e “Rust Movie Productions”, Melina Spadone.
Hutchins, 42-vjeçe, u qëllua për vdekje në setin e filmit jashtë Santa Fe më 21 tetor të vitit 2021.
Më 19 janar, prokurorja e qarkut në Santa Fe, Mary Carmack-Altwies tha se do të akuzonte Baldwin dhe Hannah Gutierrez-Reed për dy akuza për vrasje të pavullnetshme.
Avokati i aktorit e ka quajtur akuzën ndaj yllit të “30 Rock” “një gabim të tmerrshëm drejtësie”.
Baldwin dhe Gutierrez-Reed do të akuzohen “në mënyrë alternative” – që do të thotë se juria do të vendosë fajësinë ose pafajësinë për cilën nga dy akuzat – vrasje e pavullnetshme ose vrasje e pavullnetshme në kryerjen e një akti të ligjshëm. /Telegrafi/