Site icon Telegrafi

Pasi e përkujtoi Ivanoviqin, deputeti i PDK-së me porosi për Kurtin: Ka kaluar koha e Bogdan Bogdanoviqit dhe e UJDI-t!

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, derisa po mbahej seanca e Kuvendit të Kosovës, ka vendosur një pankartë me një mesazh tek ulësja e kryeministrit të Albin Kurti.

Në pankartën e ngjitur pranë vendit ku ulet kryeministri i Kosovës, kritikohej Kurti për përkujtimin që i ka bërë politikanit serb Oliver Ivanoviq në 5-vjetorin e vrasjes së tij.

Kastrati, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ky ishte një reagim i tij sot në Kuvend ndaj Kurtit për respektin që ai i bëri Ivanoviqit.

“DËSHMITARJA:

‘Oliver, shpëtoma djalin’

KURTI:

‘…….. të gjithë do ta ruajmë kujtimin e Oliver Ivanoviqit’

NE TË TJERËT:

PO,  ne do të na kujtohet Ivanoviçi për krimet që i ka bërë ndaj shqiptarëve.

POROSIA PËR KURTIN:

Ka kaluar koha e Bogdan Bogdanoviçit dhe e UJDI-t!”, shkruan në pankartën e vendosur sot pranë ulëses së Kurti në Kuvend.

Ndryshe, Albin Kurti, ka përkujtuar politikanin serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, i cili u vra më 16 janar të vitit 2018.

Nëpërmjet një video-mesazhi, Kurti tha se mendimet dhe ngushëllimet e tij janë me familjen dhe miqtë e Ivanoviqit.

Kurti shtoi se Ivanoviqi ka qenë “një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij në Mitrovicë ndërsa këtë e ka bërë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord”.

“Pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës. Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij”, theksoi Kurti.

Ndaj, këtij videomesazhi të Kurtit kanë reaguar anëtarë të partive opozitare dhe analistë të ndryshëm. /Telegrafi/

Exit mobile version