Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është një fans i madh i fushatës reklamuese të shumëdebatuar të aktores Sydney Sweeney për xhinset – pasi mësoi se aktorja është republikane e regjistruar.

Trump e lavdëroi reklamën e Sweeney për markën American Eagle pasi një gazetar, më 3 gusht, e informoi për raportimet e reja se Sweeney është e regjistruar si republikane në Florida.


"Ajo është republikane e regjistruar?" tha Trump. "Oh, tani më pëlqen reklama e saj. Vërtet? Do të habiteshit sa shumë njerëz janë republikanë. Kjo nuk është diçka që do ta kisha menduar, por mirë që ma the. Nëse Sydney Sweeney është republikane e regjistruar, atëherë mendoj se reklama e saj është fantastike".

Gjatë fundjavës, BuzzFeed News raportoi për herë të parë mbi përkatësinë politike të Sweeney. Sipas të dhënave publike të regjistrimit për votime, një person me emrin Sydney B. Sweeney është regjistruar si republikane në qarkun Monroe, Florida, në qershor 2024. Emri i mesëm i aktores është Bernice, por USA TODAY nuk arriti të konfirmonte nëse bëhej fjalë për të njëjtën person.

Foto: Getty Images

Trump, në një postim më 4 gusht në Truth Social, rrjeti i tij social, e komplimentoi edhe më tej aktoren.

"Sydney Sweeney, republikane e regjistruar, ka reklamën më 'të mirë' që ekziston. Është për American Eagle, dhe xhinset po shiten si të çmendura!" shkroi Trump.

Fushata e American Eagle me aktoren e serialit Euphoria përfshin një lojë me fjalë, duke luajtur me kuptimin e fjalës jeans (xhinse) dhe genes (gjene), në sloganin:

"Sydney Sweeney ka xhinse [gjene] të shkëlqyera."

Në njërën prej videove të fushatës, Sweeney, e veshur me xhinse nga koka te këmbët, thotë:

"Gjenet trashëgohen nga prindërit te pasardhësit, shpesh duke përcaktuar tipare si ngjyra e flokëve, personaliteti dhe madje edhe ngjyra e syve."

"Xhinset e mia janë blu," vazhdon ajo në reklamë, ndërsa fjala xhinse luan rol të dyfishtë, teksa kamera kalon mbi veshjen e saj blu prej xhinsi dhe sytë e saj po ashtu blu.

Kritikët kanë komentuar se kjo fushatë reklamuese përbën një sinjal të fshehtë që lidhet me eugjenikën dhe glorifikimin e njerëzve të bardhë. /Telegrafi/