Site icon Telegrafi

Pas ndarjes me FIFA-n, Electronic Arts prezanton video-lojën e re të futbollit ‘FC 24’

Electronic Arts (EA) të premten e lansoi lojën e saj të parë të futbollit pa etiketën FIFA, duke thënë se loja e saj “FC 24” do ta mbajë momentumin në franshizën e saj më të shitur dhe të ofroj një mburojë ndaj ngadalësimit të industrisë.

Një partneritet afro 30 vjeçar midis EA dhe FIFA përfundoi vitin e kaluar për shkak të asaj që raportet e mediave thanë se ishin kërkesa që prodhuesi i video-lojërave të dyfishonte pagesat e tij vjetore prej 150 milionë dollarë për organin qeverisës të futbollit botëror.

Kjo e ka lënë “FC 24” pa dukshmërinë dhe peshën e marketingut që gëzonte marka e FIFA-s. Suksesi i lojës është vendimtar për EA pasi disa analistë vlerësojnë se franshiza përbën një pjesë të madhe të shitjeve të kompanisë dhe vlerën e saj në treg prej 32 miliardë dollarësh, raporton Reuters, përcjell Telegrafi.

“Fundi i një partneriteti të tillë të profilit të lartë krijon një të ardhme të pasigurt për botuesin”, shkroi Joost Van Dreunen, një pedagog në Stern School of Business në NYU, në buletinin e tij.

“Të dyja palët si lojtarët – të cilët kanë frikë nga një dobësim i franshizës – si dhe investitorët, të shqetësuar se si do të ndikojë në aftësinë e EA për të gjeneruar të ardhura, po vëzhgojnë nga afër”, shton tutje ai.

EA është përpjekur të rrisë tërheqjen për “FC 24” me veçori të reja si luajtja mes platformave të ndryshme dhe teknologjia HyperMotion V që përdor të dhëna nga pamjet reale për të programuar lëvizjet në lojë.

Edicioni standard i lojës në tregun amerikan ka një çmim prej 69.99 dollarëve, përderisa edicioni “ultimate” shitet për 99.99 dollarë. Teksa në shumë tregje evropiane çmimi për versionin standard është 69.99 euro ndërsa për atë “ultimate” 99.99 euro. /Telegrafi/

Exit mobile version