Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, biznesmeni finlandez Thomas Zilliacus po konsideron një ofertë për blerjen e Interit pasi u largua nga gara për Manchester United, por Suning është i etur për të mbajtur klubin.
Nerazzurrët dihet se po përballen me probleme serioze financiare, pasi një hua me interes të lartë prej 275 milionë euro nga Oaktree Capital Management do të shlyhet vitin e ardhshëm.
Raportohet sot se Goldman Sachs dhe Raine, të cilët negociuan shitjen e gjigantëve të Ligës Premier, Chelsea vitin e kaluar, kanë qenë në bisedime me palët që janë të interesuara për të investuar në skuadrën e Serisë A.
Të paktën dy burime konfirmuan për Reuters se ish-ekzekutivi i “Nokias”, Zilliacus është një nga ata potencialisht të interesuar për të bërë ofertën.
Ai gjithashtu ishte lidhur me Manchester United disa muaj më parë përpara se të largohej nga gara.
Kompania e tij XXI Century Capital njoftoi muajin e kaluar se ishte në negociata me disa investitorë të mëdhenj institucionalë për të mbledhur para për mundësi investimi në klubet evropiane të futbollit.
Interi e pa profilin e tyre të forcuar në skenën ndërkombëtare duke arritur në finalen e Ligës së Kampionëve për herë të parë që nga fitimi i saj në 2010.
Sidoqoftë, Suning mbetet i bindur se “nuk ka asnjë proces ofertimi” dhe ata janë vetëm në kërkim të investitorëve dhe jo dikujt për t’ia shitur klubin plotësisht.
Zilliacus ishte në tribunë për fitoren gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Milanit dhe në atë moment dikush e pyeti nëse ai po blinte Interin. /Telegrafi/