Një paralajmërim se të rinj serbë po trajnohen në Rashkë, për të destabilizuar situatën në veri të Kosovës, u dhanë qysh në prill të këtij viti.
Sipas Ganimete Musliut, kryetare e komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, kjo tashmë është konfirmuar dhe se sipas saj institucionet duhet të jenë më të kujdesshme për të gjitha informacionet e dyshimta që kanë. Në këtë grup terroristësh, sipas njohësve të sigurisë të përfshirë janë anëtaret e dy organizatave që tashmë Kosova i ka shpallur terroriste.
Përkundër që Qeveria e Kosovës, tash e disa muaj shpalli organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, terroriste, kjo nuk po ndikon që të njëjtat të ndalin veprimtarinë e tyre në veri të vendit.
Në sulmin terrorist gjatë së dielës, ku mbeti i vrarë një zyrtarë policor janë të përfshirë edhe pjesëtarë të këtyre organizatave, që besohet të jenë pjesë e tyre edhe ish zyrtarët policor serb që dhanë dorëheqje rreth një vit më parë.
Por, një paralajmërim se shumë të rinj nga komunat veriore po trajnoheshin në Rashkë të Serbisë, për të iu bashkuar këtyre grupeve kriminale në veri, e kishte thënë edhe kryetarja e Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu.
Musliu thotë në situatën që ndodhemi duhet të kemi kujdes me informacionet. Ajo shton se u vërtetua ajo çfarë kishte paralajmëruar gjatë muajit prill të këtij viti.
“Fatkeqësisht kjo tashmë është e konfirmuar vetë fakti që ne pamë grupe të pajisura me uniforma e me arsenal armësh, kjo tregon që informatat që i kemi dhënë ne kanë qenë të sakta dhe kanë qenë të bazuara, sepse unë asnjëherë nuk marr përgjegjësi ose të marr guxim të dal të flasë pa i pasur informatat e konfirmuara edhe në prill kur jam deklaruar për këto grupe unë i kam pasur informatat e konfirmuara”, ka deklaruar Musliu.
Musliu shton se planifikojnë që gjatë javës tjetër të e ftojnë drejtorin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, për të raportuar në komision për situatën në veri, dhe për masat që do të ndërmerren tutje.
Ndërkohë dyshime nuk ka sipas Selam Shkodrës që dikur ishte numri dy i MPB-së, që grupi që sulmoi policinë e Kosovës janë pjesëtarë të organizatave terroriste.
“Këta natyrisht që janë pjesëtarë të organizatave terroriste, se cilës organizatë e përkatësisë së saj që i takojnë nuk mund ta themi sepse hetimet do ta tregojnë d.m.th. nga cila organizatë derivojnë këta, mirëpo aktiviteti i tyre është aktivitet terrorist të njëjtit vetëm kanë kryer një vepër terroriste duke marr jetën e pjesëtarit të policisë së Kosovës dhe nuk mund të kualifikohen ndryshe. Unë mendoj se të gjitha ato organizata që kanë veprimtarinë e tyre qëllimin e tyre që të kryejnë akte terroriste duhet të marrin goditjen e merituar nga shteti”, ka thënë ai.
Përveçse pjesëtarë të grupeve kriminale që veprojnë në veri, sipas Hajrullah Tërnavës, personat që tashmë janë arrestuar nga policia e Kosovës, janë të udhëhequr edhe nga krerët e shtetit të Serbisë.
“Këta njerëz sikur Radojciqi dhe të tjerë, që marrin pjesë dhe janë të radhitur në ato grupe terroriste janë të përkrahur drejtpërdrejtë prej shtetit të Serbisë, prej Vuqiqit sepse edhe Vuqiqi para një muaji u kërcënonte dhe thoshte se nëse nuk bëhet Asociacioni, provokonte se e sheh Kosova çka e ka gjetur”, ka thënë Tërnava.
Me 29 qershor qeveria e Kosovës, ka shpallur terroriste dy organizata terroriste.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme, nuk kanë kthyer përgjigje nëse kanë arritur të saktësojnë se cilës organizatë iu përkisnin të arrestuarit, dhe nëse ndonjëri prej tyre janë qenë punonjës në institucione publike të Kosovës.