LAJMI I FUNDIT:

Paqartësia e Libisë së nesërme

Mbeten ende të pandriçuara çastet e fundit të jetës së Moammar Gaddafi-t, diktatorit, kolonelit, liderit, mbretit të mbretërve, budallait, tiranit, quajeni si të doni, udhëheqësit të sapovdekur të Libisë. Pamjet televizive tregojnë abuzim me trupin e tij, dhe pafuqinë e tij për t’u përballur me të shtypurit e sistemit të cilët të gëzuar që e kishin kapur të gjallë nuk dinin se çfarë të bënin me njeriun më të keq të Libisë në një gjysmëshekull. Krejt ajo çfarë mund të thuhet është se asnjë diktator apo pushtues i kohëve moderne, siç mund të jenë Sadam Huseni apo Sllobodan Millosheviqi nuk ka vdekur në këtë mënyrë, i zënë, duke lutur se “çka ju kam bërë që po ma bëni kështu”, dhe i torturuar e i poshtëruar para syve të botës mbarë.

Edhe varrimi në një vend sekret nuk i ngjan kujt tjetër në planet pos pinjollit të tij të mëhershëm, Osama bin Laden, edhe pse familja e kolonelit ka kërkuar që trupi tij dhe i njërit prej djemve të tij t’i kthehen familjes dhe të varrosen sipas rregullave të islamit dhe të traditës libiane. Ashtu sikur amerikanët që vepruan me trupin e armikut të tyre duke e hedhur në det, edhe libianët e gjetën shkretëtirën. Të dyja palët kanë një argument; se një varr publik do të mund të ishte kthyer në ndonjë lloj tempulli a faltore për besnikët e tyre që megjithatë nuk mbeten të paktë. Me këtë, Libia e çliruar, duke varrosur fshehtas Gadaffin, ajo gjithashtu, me apo pa vetëdije, varrosi publikisht dëshmitarin e së keqes për gati gjysmëshekulli, nga i cili së paku do të mund të nxirrte diçka.

Gjatë gjithë kësaj hallakame interesante, kur po shihet se gjërat nuk janë edhe aq nën kontroll, Këshilli i Përkohshëm Kombëtar i Libisë, me të drejt shpall çlirimin e shtetit libian. Dhe natyrisht se aventura nuk përfundon këtu.


Kur ikja e Gadaffit po bëhet histori, udhëheqësit e Këshillit kanë dhënë alarme jo të qarta të rrugës që shteti i tyre do ta ndjek në të ardhmen, që në fakt janë jo efektive në demokraci. Meqenëse është e madhe lista se çfarë duhet bërë, disa gjëra delikate duhet nisur aplikuar që tani.

Duhet të studiohet mirë historia postkoloniale afrikane, ku shumica e udhëheqësve të vetëshpallur pas çlirimit të shtetit të tyre nuk u larguan me dëshirë, por dhunshëm, edhe atë pas shumë dekadash represioni. Duhet gjetur rrugë që lideri i ardhshëm i Libisë të mos e zgjerojë pushtetin e tij me vite të tëra, përndryshe ai, si paraardhësit e tij në rajon dhe më gjerë do ta marrë udhëheqjen si shumë personale, dhe do t’i duhet ndoshta edhe një revolucion për t’u larguar. Ka shembuj të mjaftueshëm në rajon nga të cilët mund të mësohet.

I një rëndësie të veçantë është edhe marrja si detyrim çarmatimin e menjëhershëm të kryengritësve, për arsye se sa më shumë armë në duar aq më shumë gjakderdhje. Gjithashtu patja në dorë armë, i shtyn “komandantët” e vetëshpallur të kenë pushtet mbi legjislativin e zgjedhur, madje të sundojnë mbi ligjin dhe fjalën e lirë. Shtypi perëndimor citon një burrë të njërit prej më shumë se 140 fiseve të këtij shteti të ketë thënë se “rebelët ua kanë prishur shtëpitë… ne ishim të varfër, e kjo na bëri jetët edhe më të vështira”. Qëllimi i tyre ka qenë zhdukja e Gadaffit, dhe aty duhet të ndalet. Tani duhet të jetojnë të lumtur me lirinë e tyre.

Formimi institucioneve demokratike kërkon përpilimin e një kushtetutë gjithashtu demokratike me elemente gjithëpërfshirëse. Në këtë kontekst, udhëheqësit e përkohshëm po japin shenja jo të qarta se çfarë duhet të zgjedhin. Ata kanë thënë se do ta marrin islamin si bazë, një islam “modern” siç po e quajnë ata, kur dihet se as sherijati modern nuk e bën shtetin me demokraci sekulare. Kjo mund t’i shtojë telashe vetë qeverisë së përkohshme ta parandalojë konfliktin rreth të drejtave të njeriut, lirisë fetare dhe demokracisë.

George Jonas, një analist politik kanadez lë anash punën ligjore, duke thënë se thelbi fundamental i shtetit pas Gaddaffit është ekzistenca e tij. Ekzistenca e Libisë lidhet me konceptin politik të kombit, ku njohësit e mirë e dinë se njerëzit e Libisë edhe përgjatë regjimit të Gaddaffit kanë pasur linjat e qarta fisnore, gjithnjë duke u njohur në botë me termin bashkues libian. Nëse, pra në kushtetutën e re libiane njihet identiteti kombëtar me thesarin etnik, fetar, kulturor, historik, ideologjik e gjeografik, dhe udhëheqësit shtetërorë e partiakë dinë t’i anashkalojnë ndasitë, Libia mund të eksitojë, përndryshe, parafrazuar autorin e mësipërm, ajo mund ta pësojë fatin e disa shteteve evropiane të shekullit XX-të si të Çekosllovakisë, Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik.

Në fund mund të thuhet se nëse Libia sot mëson nga e kaluara e hidhur e Afrikës postkoloniale, nëse ajo çarmatos kryengritësit, dhe ata u kthehen punëve të mëparshme e nuk e zgjedhin politikën si praktikë (shpesh ka dalë jetë e dëmshme), nëse arrijnë t’i mbajnë fiset e bashkuara, dhe gjithashtu, e kjo ka absolutisht shumë rëndësi, nëse udhëheqësi që zgjidhet më 2012 nuk do të jetë në pushtet më 2022, Libia mund të konsiderohet e çliruar…

(Autori është gazetar në gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria”. Mendimet e shprehura këtu janë personale)