Një video rrëqethëse thuhet se tregon foshnjat e braktisura të vdekura brenda njësisë së Kujdesit Intensiv pediatrik të një spitali në Gaza, disa javë pasi u evakuua për shkak të sulmeve izraelite.
Në video, gazetari Mohammed Baalousha, me kanalin televiziv të Emirateve Al-Mashhad, pati qasje në Spitalin e Fëmijëve Al-Nasr në qytetin e Gazës.
Dhe pamjet “e mbuluara” duket se tregojnë tri nga pesë foshnjat e vdekura të shtrira në shtretër, përcjell Telegrafi.
NBC News tha se kishte marrë pamje të papërpunuara nga kanali dhe kishte shqyrtuar përmbajtjen e tij.
“Tani do të shihni skena të tmerrshme të këtij spitali”, ka thënë Baalousha në video, sipas një përkthimi nga NBC News, shkruan Business Insider.
Videoja u filmua rreth dy javë pasi spitali u evakuua në mes të pushtimit tokësor të Gazës nga forcat izraelite.
Më 9 nëntor, sulmet ajrore goditën spitalin dhe ndërprenë furnizimin me oksigjen të njësisë së kujdesit intensiv neonatal.
Stafi i spitalit dhe pacientët me sëmundje kritike u evakuuan nga objekti, por pesë foshnjat e lindura para kohe në kujdesin intensiv nuk mund të hiqeshin, sipas zyrtarëve të spitalit.
Dr. Mustafa Al-Kahlot, drejtor i spitalit, tha për NBC News se foshnjat, disa prej të cilëve ishin në makineritë e oksigjenit, nuk mund të evakuoheshin në mënyrë të sigurt.
“Evakuimi ynë nga spitali Al-Nasr ishte shumë i vështirë dhe i rrezikuar nga sulmet”, tha ai. “Fëmijët nuk mund të barten me dorë ose të evakuohen pa pajisje oksigjeni”.
Dy patologë të pavarur mjeko-ligjorë kanë thënë për NBC se foshnjat në video ishin në faza të avancuara të dekompozimit – një trup kishte insekte që zvarriteshin mbi të – në përputhje me afatin kohor të përafërt dy-javor që kur u braktisën.
Ndërkohë në një video të marrë gjatë periudhës së evakuimit, Al-Kahlot përshkroi situatën e rëndë dhe tha se një fëmijë vdiq për shkak të “mungesës së oksigjenit”, sipas NBC News.
Ndryshe, ofensiva izraelite ka vrarë më shumë se 15,000 njerëz në Gaza, duke përfshirë më shumë se 6,000 fëmijë, sipas ministrisë së shëndetësisë. /Telegrafi/