Ministri i Informacionit për Kashmirin e administruar nga Pakistani deklaroi se 11 persona, përfshirë një fëmijë, dhe 56 të tjerë u plagosën nga bombardimet “intensive” të Indisë gjatë natës përgjatë Vijës së Kontrollit (LoC).

“Natën e kaluar, bombardime intensive nga pala indiane ndodhën në më shumë se pesë pika të ndryshme përgjatë Vijës së Kontrollit”, tha Pir Mazhar Saeed Shah.


“Si rezultat, 11 persona, përfshirë një fëmijë dhe katër gra, humbën jetën, ndërsa 56 të tjerë u plagosën”, pohoi ai, raporton cnn.

Ministri shtoi se deri tani 1014 persona janë zhvendosur nga zona pranë Vijës së Kontrollit – kufiri de-fakto që ndan pjesët e administruara nga India dhe Pakistani të këtij territori të kontestuar, i cili ka qenë një pikë e nxehtë në përplasjet e fundit – drejt zonave më të sigurta.

Në Kashmirin e administruar nga Pakistani, bombardimet indiane kanë dëmtuar 235 shtëpi, 29 prej të cilave janë shkatërruar plotësisht, tha Shah. Ai shtoi se dy spitale të vegjël përgjatë LoC gjithashtu janë goditur nga bombardimet, duke shkaktuar dëmtime strukturore të pjesshme në ndërtesat e tyre.

Përplasja më e fundit mes Indisë dhe Pakistanit vazhdoi edhe të shtunën, me Islamabadin që nisi një operacion ushtarak në kundërpërgjigje ndaj asaj që e përshkroi si sulme indiane ndaj bazave të tij ushtarake gjatë natës.

Ushtria indiane deklaroi se “iu kundërpërgjigj në mënyrë efektive” operacionit të Pakistanit. /Telegrafi/