LAJMI I FUNDIT:

Pacolli u premton qytetarëve një fillim të ri për Kosovën

Pacolli u premton qytetarëve një fillim të ri për Kosovën

Aleanca Kosova e Re e ka hapur të enjten fushatën zgjedhore me moton "Një fillim i ri", ndërsa u ka premtuar qytetarëve shumë ndryshime, duke filluar nga fëmijët e deri te pensionistët.

"Ne do të punojmë për ardhmërinë e Kosovës për ardhmërinë e fëmijëve tanë, për një jetë më të bukur për një jetë me të ndritshme – një dritë që kurrë nuk do të ndalet në shekullin 21, nuk do të përballohemi me probleme banale sepse atyre do t’u vihemi kundër sot", ka porositur kryetari i kësaj partie, biznesmeni Behgjet Pacolli.

Në ceremoninë e fillimit të fushatës është paraqitur edhe këshilltari për politikë të jashtme i kësaj partie Janusz Bugajski, i cili ndër të tjera ka thënë se “këto zgjedhje do të ndihmojnë Kosovën për një të ardhme të re si vend i pavarur dhe integrimin e saj në BE dha afrimin e miqësisë me SHBA-të".

Ndërkaq kandidati i AKR-së për kryetar të kuvendit komunal të Prishtinës, Ibrahim Makolli, ka premtuar se me fitoren e tij, do të ndryshojë kryeqytetin. Ai është shprehur i bindur në fitore dhe ka premtuar shumë punë.


AKR ka prezantuar edhe kandidatët tjerë për të tri nivelet e zgjedhjeve të 17 nëntorit. Prezantimit të kandidatëve të kësaj partie i ka paraprirë një koncert, në të cilin kanë marrë pjesë këngëtarë të njohur kosovarë.