Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, po merr pjesë në takimin e Ministerialit të parë për avancimin e Lirive Fetare në botë, që po zhvillon punimet në Uashington, nikoqir i të cilit është Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Siç njofton MPJ, kryediplomati kosovar, Pacolli, në orët e pasdites pritet t’i adresohet me një fjalim dhjetëra përfaqësuesve të lartë nga vende të ndryshme, përfshirë Ministra të Jashtëm, ata nga Organizatat Ndërkombëtare, prijësve fetar dhe përfaqësuesve nga shoqëria civile, të cilat janë mbledhur për të diskutuar sfidat, identifikojë rrugët konkrete për të luftuar persekutimet fetare, diskriminimin dhe për të siguruar respekt më të madh për liritë fetare për të gjithë.
Hapja e Ministerialit për avancimin e Lirive Fetare në botë u bë nga Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Në margjina të këtij Ministeriali numri dy i qeverisë , Pacolli, pritet të takojë dhjetëra homologë të tij nga shtete të ndryshme, që po marrin pjesë në këtë ngjarje, ndërkohë do të ketë takime të ndara edhe me përfaqësues të lartë nga SHBA./Telegrafi