Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar heronjët e Kosovës, Ilir Konushevcin dhe Hazir Malajn në 22-vjetorin e rënies së tyre.
Osmani ka thënë se në prag të çlirimit, ilir Konushevci u bë lajmëtari i lirisë, ndërsa mjeku tropojan Hazir Malaj po e shoqëronte në misionin fisnik.
“Në prag të çlirimit të Kosovës, Ilir Konushevci u bë lajmëtar i lirisë. Ai u vra në misionin e tij fisnik përkrah mjekut tropojan Hazir Mala, teksa po sillnin pushkët e lirisë dhe në kohën kur përpjekja për lirinë e vendit jo vetëm që kishte marrë formë, por edhe ishte afër. U vra në pritë në Bajram Curr, e fare pak para se të shkelë në Kosovë, në tokën për të cilën nuk rreshti së punuari kurrë”, thotë Osmani.
Kryetarja e Kuvendit ka përmendur edhe faktin që vrasja e tyre nuk është zbardhur asnjëherë, për çka tha se kjo enigmë thërret ndërgjegjen për të zbardhë këtë rast.
“Sot, 22 vjet më pas, enigma e vrasjes së tij thërret ndërgjegjen tonë për ta zbardhur rastin, me besimin se liria pa drejtësi nuk ka kuptim! Sot Kosova është e lirë, e Iliri hero! I përjetshëm qoftë kujtimi për Ilirin dhe të gjithë heronjtë e Kosovës”, tha Osmani./Telegrafi/