Orkestra “Amadeus” nga Prishtina fiton Çmimin e Argjendtë në Festivalin Botëror të Orkestrave në Vjenë

Një sukses i jashtëzakonshëm artistik është shënuar për Kosovën në Vjenë, ku Orkestra e Fëmijëve “Amadeus” nga Prishtina është vlerësuar me Çmimin e Argjendtë në edicionin e 11-të të Festivalit Botëror të Orkestrave.
Ky arritje ka ngjallur reagime të shumta pozitive dhe krenari të madhe, përfshirë edhe një deklaratë të veçantë nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në postimin e tij në Facebook, Kurti shkruan:
Orkestra “Amadeus” nga Prishtina fiton Çmimin e Argjendtë në Festivalin Botëror të Orkestrave në Vjenë.
Lajm i mrekullueshëm nga Vjena. Orkestra e Fëmijëve “Amadeus” është shpërblyer me Çmimin e Argjendtë në edicionin e 11-të të Festivalit Botëror të Orkestrave.
Në mesin e dhjetëra orkestrave nga mbarë bota, interpretimi i tyre i veprës “Malësorja” të Lorenc Antonit, i shoqëruar me kostume tradicionale nga të gjitha trevat shqiptare, është vlerësuar nga një juri ndërkombëtare prestigjioze në një konkurrencë të ngushtë dhe me nivel të lartë artistik.
Që prej 10 korrikut, nën drejtimin e dirigjentit Vehbi Shosholli, Orkestra “Amadeus” ka dhënë koncerte në sallat më të njohura të Vjenës si Wiener Konzerthaus, House of Strauss dhe KulturGarage. Sot, në skenën ikonike të Musikverein–Golden Hall, në kuadër të koncertit Gala, u shpallën edhe fituesit dhe Kosova u ngjit në podium.
Ky çmim është një dëshmi e përkushtimit dhe nivelit që po arrin rinia jonë muzikore. Republika e Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë thellësisht krenare dhe të përkushtuar në mbështetjen e talenteve të reja që, me pasion dhe disiplinë, po e çojnë emrin e Kosovës gjithnjë më lart.
Kur fëmijët tanë marrin skenën, nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, mjafton të dëgjosh duartrokitjet.
Kjo fitore është një tjetër dëshmi e fuqisë së artit për të ngritur zërin e një populli në skena ndërkombëtare dhe për të përçuar identitetin përmes talentit. /Telegrafi/



















































