LAJMI I FUNDIT:

Orhan Pamuk sulmon mitin e virgjërisë

Orhan Pamuk sulmon mitin e virgjërisë

Ai vetë ka deklaruar se në këtë botë, shkrimtarët luajnë një rol të mirë. Ai vetë ka thënë se një nga bazat e shkrimtarit është të shkruajë dhe të ndajë me të tjerët qoftë edhe gjërat më të vogla, e ndoshta pas kësaj bota mund të bëhet një vend më i mirë. Shkrimtari ka dhuntinë që ato çfarë shikon, qofshin të mëdha apo të vogla, t‘i dallojë, t‘i ngacmojnë...

Ndoshta për këtë arsye "Muzeu i pafajësisë" është cilësuar nga vetë Orhan Pamuk si libri më i bukur i jetës së tij. Ai nuk di të tregojë pse, por ndien se është i tillë, ndoshta sepse është disi autobiografik, apo ndoshta sepse sjell në vëmendje një tjetër plagë që ekziston jo vetëm në Turqinë e tij, por edhe në një pjesë të mirë të botës ku thirrjet për të lënë pas paragjykimet dhe luftën e sekseve, vazhdojnë të mbeten të shurdhëta.

Orhan Pamuk, shkrimtari turk i cili ka fituar çmimin "Nobel" për letërsinë në vitin 2006, do të publikojë më 10 shtator para lexuesit turk dhe atij gjerman librin e tij më të fundit titulluar "Muzeu i pafajësisë".

Shumë shpejt libri do të botohet edhe në gjuhën shqipe, jo vetëm për të pasur në duar një tjetër roman nga novelisti, por për të treguar në një farë mënyre se Shqipëria dhe Turqia në këtë pikë janë të ngjashme. Pamuk ka marrë përsipër që të rrëfejë një plagë tjetër të shoqërisë turke, e cila përkon më së miri edhe me atë shqiptare.