LAJMI I FUNDIT:

Omari: Nxënësi duhet të njihet edhe me ekzistencën e dialekteve tjera të shqipes

Omari: Nxënësi duhet të njihet edhe me ekzistencën e dialekteve tjera të shqipes

Gjuhëtarja Anila Omari flet për historinë e gjuhës shqipe. Teksa tregon për kontributin e albanologëve të njohur, ndalet edhe tek puna që duhet të bëjnë studiuesit e rinj në këtë fushë. Ndërsa, sa i përket futjes së gjuhës shqipe në të gjithë degët universitare, mendon se duhet që të nisë që në klasë të parë.

Intervistoi: Anila Dedaj

Nëse ndalemi tek historia e gjuhës shqipe, cilat janë emrat që bënë të mundur zhvillimin e saj?


Për zhvillimin e historisë së gjuhës shqipe janë përqendruar forcat shkencore më madhore të albanologjisë shqiptare. Që nga profesor Eqerem Çabej, Shaban Demiraj, Mahir Domi e albanologë të tjerë të njohur në botë. Po ashtu edhe breza më të rinj si Bardhyl Demiraj, i ndjeri Kolec Topalli, Seit Mansaku, të cilët çuan më tej veprat, ose ngrehinën e ngritur nga albanologët e huaj në fillim të shekullit të XX-të, e mandej nga albanologë shqiptarë me në krye Çabejn.

Ju më sipër përmendët kontributin e emrave, si Eqerem Çabej, Shaban Demiraj etj., por ç’mund të thuhet për nivelin e studiuesve të rinj të gjuhës shqipe?

Emrat që përmenda janë “koka të mëdha” të gjuhësisë shqiptare e të albanologjisë. Është vështirë që të përsëriten. Megjithatë ka albanologë sot në botë, shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë arritur rezultate të mëdha. Kjo, edhe falë teknologjisë informatike, e cila ndihmon në përpunimin e gjuhës, në nxjerrjen e glosarëve nëpërmjet konkordancave kompjuterike të teksteve. Kjo ka ndikuar veçanërisht tek tekstet e vjetra, tek të cilat  janë arritur rezultate shumë të mira.

Flasim për kolosët e gjuhësisë dhe tekste të vjetra, por ç’po bëjnë studiuesit e rinj për ta shpënë më tej punën e tyre?

Botimet kritike të teksteve të hershme i shërbejnë lexuesit të sotëm. Tekstet e përpunuara janë riprodhuar mbi botimet e vjetra të përshtatura me alfabetin e sotëm, duke ruajtur të gjitha tiparet e gjuhës së vjetër. Sigurisht që leximi i tyre kërkon një farë përgatitje, por e rëndësishme është që tekstet e vjetra janë në duart e publikut të gjerë dhe të të interesuarve. Pra, janë të aksesueshme nga studiuesit e rinj.

Çfarë duhet bërë që të trashëgohet fryma e përdorimit të mirë të gjuhës shqipe edhe në drejtshkrim, artikulim etj., veçanërisht tek të rinjtë?

Të tejçohen dijet është shkolla, për këtë ka shumë rëndësi i gjithë sistemi arsimor. Tekstet, mësuesit etj., janë hallka të ndryshme të këtij sistemi, të cilat funksionojnë në mënyrë të lidhura me njëra-tjetrën. Ka ardhur koha për një metodologji sa më bashkëkohore në mësimdhënie, pasi tekstet mesa konstatohet kanë të meta. Madje jo vetëm tekstet në vetvete, por edhe programet shkollore për gjuhën shqipe. Po flas për gjuhën, pasi kjo është fusha ime, pasi mund të ketë probleme edhe në fusha të tjera, në lëndë të tjera mësimore. Tashmë kërkohet një tjetër metodologji e mësimit të gjuhës shqipe. Jo më mësimit të paradigmave, apo të teknologjisë gramatikore, siç bëhet. Duke nisur nga programi i gjuhës shqipe për mbarë Republikën e Shqipërisë gramatika është e ngjeshur, e rrudhur edhe e rëndë.

Pra, ju mendoni se duhet thjeshtëzuar programi i mësimdhënies së gjuhës shqipe?

Thjeshtëzimi i programit nuk është i mjaftueshëm. Edhe mënyra e mësimdhënies duhet të jetë e ndryshme. Pra, duhet që nëpërmjet tekstit të mësohet gramatika, jo të jepet rregulli gramatikor dhe pastaj të detajohet në shembuj.

Duhet që gramatika të mësohet nëpërmjet gjuhës së përfaqësuar në tekste të natyrave të ndryshme; letrarë, publicistikë, shkencorë, tekste të folura, tekste folklorike etj. Rregullat gramatikore duhet të dalin prej këtyre teksteve.

Ngërçet që nisin që në hallkat e para të sistemit fillor, si kanë ndikuar tek studentët. Si është në këndvështrimin tuaj raporti i tyre me gjuhën?

Të gjitha këto të meta kanë bërë që  edhe studentët të vijnë të dobët, përsa i përket përdorimit të shqipes. Shumë prej tyre kanë vështirësi në shkrim, bëjnë gabime. Madje edhe vetë studentët e gazetarisë, kolegët tuaj bëjnë gabime. Edhe pse tani, ndoshta në sajë të programit të korrigjimit automatik drejtshkrimor, nuk dalin gabime të theksuara shtypi.

Përsa i përket përmirësimit të nivelit të studentëve në raport me përdorimin e gjuhës, kryeministri Edi Rama propozoi  pak kohë më parë përfshirjen e gjuhës shqipe nëpër degët universitare. Sipas jush, a duhet që iniciativat e reja për përmirësimin e situatës të nisin nga universitetet apo më herët?

Unë mendoj se puna për përmirësimin e situatës gjuhësore duhet të nisë që në klasën e parë. Brezi jonë nuk ka pasur probleme në këtë aspekt. Ne në gjimnaz nuk bënim gjuhë shqipe, por lëndët që jepeshin  në 8-vjeçare kishin një bazë të mirë gjuhësore. Pra, është thelbësore që gjuha të mësohet mirë që në 9-vjeçare.

Ka pasur ndryshime të vazhdueshme, gjuha në gjimnaz është futur disa vjet, pastaj është hequr e rifutur përsëri. Tani po kërkohet edhe në universitete. Mirëpo, edhe pse po kërkohet që të bëhen përmirësime në të gjitha hallkat, forca e gjuhës duhet dhënë që në fillim, në klasë të parë.

Siç dëgjoj shpesh, ka një mbingarkesë tek nxënësit që nis që  në fillore. Mirëpo me një mbingarkesë të tillë ata rrezikojnë të mos përvetësojnë gjë. U mbetet ose të mësojnë diçka përmendësh, ose “siç do hynë do dalin”, pa mësuar asgjë. Duhet që së paku të ndryshohet metoda e mësimdhënies, që atyre t’u mbetet diçka në mend. Dhe, e theksoj, gjuha të mësohet nëpërmjet tekstit.

Po përsa i përket komunikimit jozyrtar, ligjërimi i shkurtër përmes kanaleve digjitale si ndikon?

Unë mendoj se komunikimi përmes mesazheve të shkurtra, rrjeteve sociale etj., janë një variant i ligjërimit, që nuk e përkeqëson gjendjen. Nuk krijon probleme kjo formë ligjërimi tek një student apo nxënës, që gjuhën e njeh mirë dhe është në gjendje të shkruajë një esse apo hartim. Pra, të shkuarit me shkurtime shpesh praktikohet për shpejtësi.

Një tjetër element që e lë të varfër gjuhën është mungesa e leximit tek të rinjtë.  Sepse, dihet që leximi e pasuron gjuhën, përndryshe mbetesh me një fjalor të kufizuar, sikundër vëmë re edhe tek studentët. Fatkeqësisht nuk njohin më fjalë pak më të vjetra, që i ka përdorur brezi im apo brezat e mëhershëm. Kjo ndodh nga mungesa e leximit.

Sipas jush, a mund të përdoren dialektet gjuhësore në mësimdhënie?

Unë di se në mësimdhënie janë përfshirë edhe tekste dialektore. Mendoj se nxënësi e ka të nevojshme të njihet edhe me ekzistencën e dialekteve të tjera të shqipes, me tiparet e tyre. Mirëpo, gjuha zyrtare është një! Është gjuha e njëjësuar, ajo standarde që përdoret edhe në ambientet publike, në televizione, shtyp etj. /Shekulli/

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori