“Ne nuk jemi në presion ndërkombëtar, por jemi në komunikime normale të zhvillimit të Kosovës më tej. Është një ofertë apo një projekt, të cilin ne e kemi refuzuar si të tillë në elemente substanciale të tij, që janë të papranueshme për Kosovën”, theksoi presidenti Sejdiu, duke shtuar se është interes i veçantë i Kosovës që të mbajë kornizat e miratuara bashkë me bashkësinë ndërkombëtare.

“Keni parasysh se Projekti Ahtisaari është një projekt i përbashkët me bashkësinë ndërkombëtare, shpallja e pavarësisë është po ashtu një projekt i ndihmuar dhe i koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare, Kushtetuta e Republikës është po ashtu në këto provizione, të gjitha ligjet që i kemi miratuar me projektin e Ahtisaarit dhe jemi zotuar se do t’i zbatojmë janë në këto provizione dhe është një dokument shumë i rëndësishëm i shkurtit të vitit 2008, aksioni i përbashkët i BE-së për të vënë EULEX-in në Kosovë”, vijoi Sejdiu.

Gjithashtu, ai ripërsëriti dëshirën e institucioneve të Kosovës që EULEX të jetë sa më shpejt në Kosovë dhe në të gjithë shtrirjen territoriale të Kosovës, duke mohuar se në një formë apo në formën tjetër janë duke e zhagitur procesin. Ai sqaroi se janë duke bashkëpunuar shumë mirë me partnerët ndërkombëtarë.

Ndërkaq, edhe kryeministri Hashim Thaçi ka përsëritur të premten qëndrimin e Prishtinës zyrtare kundër dokumentit gjashtëpikësh. Ai tha se qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë dhe i bazuar në dokumentet shtetërore që janë nxjerrë edhe në koordinim me Bashkësinë Ndërkombëtare. “Ne jemi për shtrirjen e EEULEX-it, por në pajtim me dokumentet shtetërore të vendit”, theksoi Thaçi. /Telegrafi/