Andi Zeqiri është i fundit që largohet nga Kombëtarja e Zvicrës dhe nuk arrin të zë një vend për Euro 2024, me përzgjedhësin Murat Yakin që tregoi se ishte i vështirë vendimi.
Sulmuesi shqiptar, tani 24-vjeçar që luan te KRC Genk, do të mbetet si rezervist, nëse njëri nga sulmuesit lëndohet para se të fillojë Euro 2024.
Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, sot vendosi listën prej 26 lojtarësh që do të jenë në Euro 2024, duke thënë se Andi Zeqiri ia vështirësoi punën.
“Andi na e bëri të vështirë vendimin. Së fundmi ai ka performuar shumë mirë. Ditët stërvitore në kamp treguan se konkurrenca është shumë e fortë edhe në sulm, për këtë arsye iu dhashë përparësi lojtarëve të tjerë”, deklaroi Yakin.
Zeqiri luajti këtë sezon 37 ndeshje në të gjitha garat, ku shënoi nëntë gola me fanellën e Genk. Sulmuesi ka 11 paraqitje me ekipin e parë të Zvicrës, por ende nuk e ka gjetur golin.
24 vjeçari para disa vitesh kishte pranuar të luante për Kosovën, por më vonë kishte ndërruar mendim. /Telegrafi/