Në dispozicion kemi shumë mënyra për të përmirësuar funksionet e trurit, nga ushtrimet e rregullta deri te fitimi i njohurive dhe aftësive të reja. Por a është e mundur të ndikojmë edhe në vetë madhësinë fizike të trurit?

Sipas një studimi të ri, përdorimi i llojit të duhur të parfumit ose ujit të kolonjës mund të rrisë masën gri të trurit.


Studiues nga Universiteti i Kiotos dhe Universiteti i Tsukubës në Japoni u kërkuan 28 grave që të mbanin në rroba, për një muaj, një vaj me aromë trëndafili; ndërkohë 22 vullnetarë të tjerë shërbyen si grup kontrolli dhe përdorën vetëm ujë.

Skanimet me rezonancë magnetike (MRI) treguan rritje të vëllimit të masës gri te pjesëmarrëset e ekspozuara ndaj aromës së trëndafilit.

Edhe pse rritja e vëllimit të trurit nuk do të thotë domosdoshmërisht aftësi më të mëdha mendimi, këto gjetje mund të kenë pasoja për gjendje neurodegjenerative si demenca.

“Ky është studimi i parë që tregon se nuhatja e vazhdueshme e një arome ndryshon strukturën e trurit”, shkruajnë autorët në punimin e botuar.

Më parë është parë se aromat e tilla përmirësojnë kujtesën dhe performancën njohëse, por këtu ekipi deshi të testonte një ekspozim më afatgjatë për të parë nëse aktivizimi i shqisës së nuhatjes sjell ndryshime të matshme në strukturën e trurit, shkruan ScienceAlert, përcjell Telegrafi.

Cilat zona ndryshuan?

Megjithëse masa gri, në tërësi, u rrit, ndryshimet varionin sipas rajoneve. Pak ndryshime u vunë re në amigdala (qendra e përpunimit të emocioneve) ose në korteksin orbitofrontal (ku përpunohen aromat e këndshme). Ndërkaq, u pa më shumë masë gri në korteksin cingular të pasmë (PCC), zonë e lidhur me kujtesën dhe asociacionet.

Studimet e mëparshme kanë treguar se te njerëzit me çrregullime të nuhatjes, amigdala (drejtpërdrejt e lidhur me nuhatjen) është më pak aktive, ndërsa PCC (i lidhur në mënyrë të tërthortë me nuhatjen) bëhet më aktiv, një lloj kompensimi.

Studiuesit sugjerojnë se diçka e ngjashme mund të ndodhë edhe këtu: amigdala nuk ka nevojë ta “sinjalizojë” vazhdimisht aromën e trëndafilit, sepse ajo është gjithnjë e pranishme; ndërsa PCC duhet ta përpunojë vazhdimisht atë dhe t’i ruajë kujtimet përkatëse.

“PCC përfshihet në lidhjet midis kujtesës dhe aromës, në gjetjen e kujtimeve të lidhura me aromat dhe në proceset e kujtesës semantike,” shkruajnë autorët. “PCC, që përpunon kujtimet aromatike, ishte më i aktivizuar se amigdala, e cila është përgjegjëse për vetë ndjesinë e nuhatjes.”

Megjithatë, është e vështirë të përcaktohet saktësisht çfarë e shkakton këtë rritje të masës gri. Një mundësi tjetër që ngre ekipi është se truri mund ta klasifikojë aromën e trëndafilit si më pak të këndshme pas ekspozimit të vazhdueshëm; rregullimi pasues emocional do të angazhonte më fort PCC-në, duke çuar në rritjen e tij.

Çfarë do të thotë kjo për shëndetin e trurit?

Studiuesit shpresojnë që këto gjetje të ndihmojnë në zhvillimin e aromaterapive që përmirësojnë shëndetin mendor dhe plasticitetin e trurit. Shtimi i aromës në rroba, njësoj si të përdorësh parfum ose losion pas rruajtjes, do të ishte një ndërhyrje e lirë, e lehtë dhe potencialisht e dobishme për trurin.

Me testime të mëtejshme, me aroma të ndryshme dhe me grupe më të mëdha njerëzish, këto rezultate mund të përdoren madje për uljen e rrezikut të demencës. Dihet se PCC tkurret te personat me sëmundjen e Alzheimerit, ndaj stimulimi i tij me aroma mund të jetë një mënyrë për ta mbajtur këtë zonë aktive dhe funksionale.

“Prandaj, rezultatet e këtij studimi sugjerojnë se nuhatja e vazhdueshme e vajit esencial të trëndafilit mund të ndihmojë në parandalimin e atrofisë së trurit dhe të demencës”, përfundojnë studiuesit.

Studimi është botuar në revistën Brain Research Bulletin. /Telegrafi/