Këto të dhëna janë paraqitur të mërkurën në sajtin zyrtar të kampionatit evropian që po mbahet në Netanya të Izraelit. Por të dhënat për garën e Veliut të enjten nuk kanë mundur të gjenden në sajtin zyrtar të evropianit. Kjo, pasi ato janë fshirë, shkruan sot Koha Ditore.

Në baterinë e parë, në të cilën notoi Veliu, janë paraqitur rezultatet e vetëm nëntë notarëve. I dhjeti ishte kosovari. Emri i tij është hequr edhe nga lista startuese e po ashtu edhe nga rezultati i përgjithshëm.


Veliu i kontaktuar nga gazeta nuk ka dashur të flasë për këtë çështje. Ka thënë se për këtë flet Federata e Notit e Kosovës. Në FNK nuk kanë shumë informata, ndërsa presin që më shumë të mësojnë nga organizatori i kampionatit dhe nga Federata Evropiane e Notit.

"Përfaqësuesit tonë në kampionat i kanë thënë se Meritoni nuk mund të garojë në garat e tjera për të cilat është paraqitur për shkak të moshës së tij. Ndërkohë janë larguar të dhënat e tij edhe për garën që e bëri të mërkurën e që ishte e para për Kosovën në një kampionat evropian", ka thënë të enjten mbrëma Astrit Haliti, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Notit të Kosovës.