“Sot kisha kënaqësinë e veçantë të prisja në ditën e 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të dërguarën e posaçme të presidentit të Egjiptit, presidentit Morsi, zëvendëspresidenten El Sharkawy. Dëshiroj të falënderoj për vizitën, dhe të shpreh kënaqësinë e Qeverisë së Kosovës, popullit të Kosovës për mysafirin e veçantë dhe të dërguarën e veçantë të presidentit Morsi, sot, në 5-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

“Mund të them lirisht se nga vizita e fundit që kam zhvilluar në Egjipt, nga takimi që kam zhvilluar me presidentin Morsi, është një angazhim aktiv nga Kajro, në mbështetje të fuqishme të Republikës së Kosovës nga Egjipti. Sepse, ndajmë vlerat e angazhimeve dhe përkushtimeve të betejave që kemi zhvilluar si popuj për liri, për dinjitet njerëzor dhe drejtësi. Prandaj, e dërguara e posaçme presidentit Morsi, zëvendëspresidentja El Sharkawy sjell mesazhin për institucionet e Kosovës, për popullin e Kosovës, mesazhin e konfirmimit nga presidenti Morsi se njohja nga Egjipti për Republikën e Kosovës është në rrugë e sipër”.

Ndërsa, Zëvendëspresidentja e Republikës së Egjiptit, Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy, pas takimit me Kryeministrin Thaç theksoi se “jam shumë e gëzuar që për herë të dytë po vij në Kosovë”.

“Jam e kënaqur që po e gjej mirëseardhjen sërish në këtë tokë të lirisë, të rezistencës dhe të luftës për dinjitet.

Kosova për Egjiptin është simbol i lirisë, dhe tash ne të dy vendet jemi duke ndërtuar shtete të reja dhe demokratike, të bazuara në drejtësi dhe liri.

Ky është një moment i rëndësishëm historik për të dy kombet. E falënderoj kryeministrin Thaçi për mikpritjen e ngrohtë, që kam pranuar.

Egjipti që nga koha e revolucionit është duke u përpjekur që të ndjek politikën e hapjes së dyerve për Kosovën. Kemi pasur shumë vizita të ndërsjella, dhe më e rëndësishmja deri më tani ishte vizita e kryeministrit Thaçi në Kajro gjatë punimeve të Konferencës Islamike.

Ishte një hap i madh për të forcuar marrëdhëniet tona në të ardhmen. Egjipti mbështet hyrjen e Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare, si në Bankën Botërore, në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ne jemi në rrugë të ndërtimit të marrëdhënieve pozitive dhe të mirëkuptimit. Kështu që, jam shumë e nderuar që jam këtu, dhe të them se Egjipti është në rrugë për të njohur Kosovën.

Jam e sigurt se ky do të jetë një moment i rëndësishëm për të dy vendet, për të ndërtuar marrëdhënieve të mira në shumë fusha.

Jam e sigurt se e ardhmja do të sjellë më shumë prosperitet për të dy vendet”. /Telegrafi/


E plotësuar - Ndihmëspresidentja e Republikës Arabe e Egjiptit, Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy, e cila ka arritur sot për një vizitë në vendin tonë, ka konfirmuar vendimin e shtetit të saj si dhe të Presidentit të Egjiptit Mohamed Morsi për njohjen e Republikës së Kosovës

“Jam shume e lumtur që jam në Kosovë për herën e dytë. Kosova përfaqëson një simbol të lirisë duke qenë vendi më i ri demokratik në botë. Që nga revolucioni kemi pas shumë vizita të ndërsjella me Kosovën, së fundi nga Thaçi në konferencën e vendeve islamike me qëllim përforcimin e marrëdhënieve tona në të ardhmen. Egjipti e mbështet Kosovën. Jam e nderuar të shpalli njoftimin se Egjipti po e njeh Kosovën. Kjo njohje do të na ndihmojë në bashkëpunimin tonë në shumë fusha sepse kemi një të kaluar të përbashkët si në aspektin kulturor dhe historik”, deklaroi Sharkway në konferencë për media, transmeton Almakos.

“Shteti i Kosovës po fuqizohet çdo ditë e më tepër dhe integriteti territorial është i njohur ndërkombëtarësh, kurse tash do të lëvizim shpejt drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, Kështu është shprehur kryeministri Thaçi në një konferencë për media, ku tha se njohja nga Egjipti është në rrugë e sipër dhe nga sot po hapet një kapitull i ri i bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Egjiptit, transmeton KP.

Ndryshe, Egjipti është shteti i 99-të që njehë Republikën e Kosovës. /Telegrafi/


Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, Ndihmëspresidenten e Republikës Arabe të Egjiptit, Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy. Gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, ajo pritet të ketë mesazh pozitiv për vendin.

Burime të RTK-së brenda MPJ-së kanë bërë të ditur se mesazhi që ajo do të sjellë vjen nga Presidenti i Egjiptit Mohamed Morsi.

Presidenti i Egjiptit, Mohamed Morsi, kohë më parë në Kajro, ka pritur në një takim Kryeministrin e Kosovë Hashim Thaçi. Gjatë takimit, Thaçi u fokusua kryesisht në çështjen e njohjes së Kosovës nga Egjipti.

Presidenti Morsi pati premtuar se Egjipti do ta njohë Kosovën shumë shpejtë. Në këtë takim, në mes të tjerash, ishte diskutuar edhe për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të shtetit të Kosovës dhe atij të Egjiptit. /Telegrafi/