Një brazilian u plagos rëndë dhe gruaja e tij u trajtua për plagë të lehta pasi makina e tyre shpërtheu në një pikë karburanti – teksa po e mbushnin me karburant.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pamjet e kamerave të vëzhgimit nga pika e karburantit e Rio de Janeiros të martën në mëngjes tregojnë Mário Magalhães, 67 vjeç, duke hapur bagazhin e makinës së tij përpara se automjeti të shpërthejë papritmas.
Ndikimi i shpërthimit të makinës bëri që Magalhães “të fluturonte në ajër dhe të përplasej në tokë”.
Ndërsa gruaja e tij, Andreia Magalhães, e cila po qëndronte pranë derës së pasagjerit, arriti të shmangte pjesën më të madhe të shpërthimit.
Ajo mund të shihet në video duke ikur nga automjeti teksa një punonjëse e pikës së karburantit nxitoi për të kontrolluar burrin e saj dhe bëri shenjë për ndihmë.
Mário Magalhães u dërgua me urgjencë në një spital komunal dhe iu nënshtrua një operacioni, raportuan mediat lokale. Ai është në gjendje të rëndë.
Ndërsa Andreia Magalhães u shtrua në një spital tjetër, ku u trajtua për lëndime më të vogla.
Hugo Ruan, 25 vjeç, i cili punon si shoqërues në pikën e karburantit, tha se bombola e gazit të automjetit ishte e ndryshkur. /Telegrafi/