Replikë me Kujtim Matelin, mbi pohimin e tij se Dodona e lashtë pellazgjike ndodhet në Dëshnicë të Përmetit
Nga: Kujtim Tamo
Në ditët e sotme, vërehet një dyndje autorësh dhe e botimeve të tyre në të gjitha mediat, dukshëm në fushën e studimeve albanologjike. Kështu, autorë të rinj në moshë dhe të tjerë me një përvojë të pakët të tyre në fushën e kërkimeve shkencore, rreken të sjellin “risi”, sipas tyre, sidomos në lëmin e studimeve historike, atë të gjuhësisë historike apo edhe të arkeologjisë.
Nga një vështrim i kujdesshëm i punimeve të tyre, shihet se ka një tendencë të dukshme në rishikimin e koncepteve shkencore tashmë të konsoliduara prej historiografisë zyrtare shqiptare të “Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”.
Me sa unë kam mundur të vërej nëpërmjet leximeve të shumë burimeve historike dhe arkeologjike, këta autorë rishtarë, sidomos në fushën e arkeologjisë së antikitetit, në vend që t’i bëjnë vend vetes në këtë fushë, duke sjellë fakte dhe dokumente të panjohura më parë prej historianëve dhe arkeologëve tashmë të konfirmuar si personalitete të këtyre fushave, rreken të godasin duke mohuar konstatimet shkencore të tyre, por edhe duke vënë në dyshim vetë personalitetin e tyre shkencor.
Disa nga këta autorë “disidentë”, nëse do t’i quaja të tillë, duke mbajtur një nivel të ulët të komunikimit shkencor dhe profesional, me një frymë egërsie provinciale e mllefe personale, siç duket të ndikuar nga prirja e sotme e disa zërave për “rishikimin dhe rishkruarjen e historisë” sonë kombëtare, shpikin, hartojnë dhe riformatojnë fakte dhe koncepte të “reja” në dukje, por aspak të vërteta dhe për më tepër jo shkencore.
Për sa parashtrova më sipër, zanafillën e këtij shkrimi e mora pasi lexova në gazetën Dita të dy shkrimet me autor z. Kujtim Mateli. Siç edhe shihet, mbajmë të njëjtin emër, por ndajmë mendime të ndryshme në lidhje mbi vendndodhjen e tempullit të lashtë të Dodonës.
Në shkrimin e parë të datës 21 gusht 2024, ky autori polemizon me z. Ferdinand Samarxhiu në lidhje me vendndodhjen e Dodonës, pasi ky i fundit deklaron se Dodona pellazgjike ndodhej në malin e Tomorit!
Kurse, në shkrimin e dytë më 24 gusht 2024, autori në fjalë pohon faktin e rëndësishëm se në malin e Tomorit festohen që prej antikitetit të hershëm kulti i hyjnive. Konkretisht ai pohon se: “Hyjnia e malit Tomor është më e vjetër se Epoka Homerike”. Thënie kjo mëse e vërtetë dhe e pranuar nga shumica e historianëve.
Pra, këtu, sipas meje, z. Mateli është i saktë në të dyja çështjet: Pra, që Dodona nuk është në Tomor dhe se ky mal mban mbi vete hyjnitë e lashta parahelenike.
Duke qenë i sinqertë me z. Mateli dhe lexuesit e këtij shkrimi, pohoj se unë nuk kam formim të mirëfilltë si historian, por si intelektual e atdhedashës i këtij vendi, si njeri që lexoj gjithçka mbi historinë e lashtë dhe të re të vendit tim, kam të drejtën morale dhe qytetare të mbroj, por edhe të kundërshtoj, sipas bindjes dhe njohurive të mia në fushën e historisë sonë kombëtare, ato koncepte në dukje “moderne” e “novatore”, por që në të vërtetë “rishkruajnë” në mënyrë jo shkencore historinë tonë.
Në thelb, e gjithë përmbajtja dhe thelbi këtyre dy shkrimeve të historianit K. Mateli, për mua është pozitiv, qëndrojnë objektivisht dhe konfirmojnë të vërtetën se në malin e Tomorit nuk mund të ndodhej tempulli i Dodonës pellazgjike, por kulti i hyjnive para homerike dhe sot kulti popullor i “Baba Tomorit” – një festë kjo shumë popullore jo vetëm për besimtarët bektashinj, por edhe ata të besimeve të tjera.
Për sa më sipër, në mënyrë dashamirësë për problemin e vendndodhjes së Dodonës, realizova një kafe miqësore me autorin, në mënyrë që të mund të diskutonim miqësisht si intelektual tête-à-tête problemin në fjalë. Që në fillim të bashkëbisedimit tonë, unë i pohova sinqerisht kështu: “Unë nuk jam historian si ju. Unë nuk prodhoj histori si edhe ju, por unë ‘konsumoj’ histori”. Me këtë desha t’i them z. Mateli, se jo çdo “produkt” mbi historinë, unë do ta pranoj a priori ashtu siç e shkruan ai. Dhe, së fundi i deklarova se e mbështes argumentimin e tij që tempulli i Dodonës nuk ndodhet në malin e Tomorit (si pohon z. F. Samarxhi), por i deklarova hapur që nuk jam dakord me tezën tuaj që tempulli i Dodonës pellazgjike ndodhet në Dëshnicë të Përmetit. Për shpjegim të lexuesve, ky historian tash sa vite, nëpërmjet disa botimeve mbron hapur dhe prerë tezën se Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit.
Por, në këtë bashkëbisedim, fatkeqësisht unë jo vetëm që nuk e gjeta mirëkuptimin, dashamirësinë dhe urtësinë e tij, por konstatova fodullëkun dhe mosmirënjohjen ndaj personaliteteve të tilla të historisë sonë, si i ndjeri profesor Kristo Frashëri. Kështu, në debat e sipër, kur unë i përmenda profesorin në fjalë ai mu përgjigj shkurt: “E kush është Kristo Frashëri”!? O tempora, o mores! Nga ana ime është e tepërt të shtoj, për këtë personalitet të shquar të historisë, të cilin e vlerëson vendi ynë, por edhe shumë historianë të huaj.
Deri tani sqarova kuadrin dhe përgatita terrenin sqarues të mëtutjeshëm për problemin në fjalë – pra ku ndodhet (ej) Dodona!?
Le t’i kthehemi në detaje shkrimit të z. Mateli. Ky historian “disident”, i xhelozuar se ndoshta flamurin e çështjes së Dodonës mund t’ia marrë fetaro-historiani Samarxhi (Mjeshtër i Madh), e kundërshton atë, por duke përdorur armët dhe argumentet shkencore të euroditit akademik Moikom Zeqo. Sekreti i tij qëndron në detajet. Kështu ai citon z. Moikom vetëm në ato pohime të tij, ku ai ironizon të ashtuquajturit historian. Konkretisht: “Njerëz që nuk kanë idenë e historisë shkencore, shkruajnë për gjëra që absolutisht nuk i dinë … që në Tomor nuk është Dodona, mendjet e mykura nuk mund ta kuptojmë” (citim nga Moikomi). Bjeri Matel bjeri, por me armët e Moikomit!
Cinizmi i tij ndaj z.Samarxhi është aq i egër, sa ai shprehet kështu për z. Samarxhi: “Bëhet fjalë për njerëz të papërgjegjshëm për atë që thonë, sepse sot në opinionin publik gjen një numër të konsiderueshëm, për të cilët nuk ka rëndësi çfarë flasin, rëndësi ka që flasin”.
Lëre të prehet rehat në botën e amshuar të ndjerin Moikom, sepse ai dinte se ç’fliste dhe për kë fliste.
Tinëzia e z. Mateli për heqjen e mundësisë së ndodhjes së Dodonës në Tomor, është e tillë sa ai vetëm citon vetëm fjalët e Moikomit kundër “mendjeve të mykura”, siç i etiketon ai. Por, Moikomi i madh, nuk merrej me të tillë “historianë” e të harxhonte frymë, të diskutonte nëse është apo nuk është Dodona në Tomor?! Për të, ashtu si edhe për shumë personalitete si ai, ekzistenca e Dodonës ishte e padiskutueshme. Historiografia shqiptare tashmë e ka konfirmuar saktësisht se tempulli i Dodonës së lashtë pellazgjike ndodhet në Epir, sot në territorin e shtetit grek, 18 kilometra larg qytetit të Janinës, dikur territore te fiseve Mollose dhe Thesprote.
Pyes z. Mateli: pse ju nuk i referoheni edhe shumë autorëve shqiptarë me zë në këtë fushë? Dihet se, burimet e fakteve historike, të gjithë historianët i kanë marrë nga veprat e shkruara nga autorët e antikitetit, por rëndësi ka interpretimi i tyre sa më i drejtë e shkencor. Kjo, sepse, shumë autorë të lashtë në shkrimet e veta, nuk kanë qenë të gjithë akterë fizikë në ngjarjet e historisë të kohës, e as nuk i kanë përshkuar vet të gjitha territoret për të cilat flet historia. Shumë prej tyre i kanë marrë burimet e informacionit, sipas citimeve të njeri-tjetrit në vazhdimësi në kohë.
Në mungesë të argumenteve, në mbështetje të tezës së vendndodhjes së tempullit të Dodonës në Janinë, fakt të cilin e kundërshton historiani ynë, unë për interesin e lexuesve po citoj më poshtë disa autorë shqiptarë me zë, të cilët argumentojnë të kundërtën, që Dodona nuk ndodhet as në Tomorin e Samarxhiut e as në Dëshnicën e Përmetit të Matelit, por në juglindje të Janinës.
Profesor Kristo Frashëri, në veprën e tij Etnogjeneza e shqiptarëve (2013), shkruan në fq.63: “Pellazgët nga Peloponezi zunë vend në brigjet e Helespondit … Që këtej shkuan në Thesproti të Epirit (Çamëri), pranë faltores së Dodonës” (citimi sipas Dionisis të Halikarnasit). Në fq. 64: “… Pellazgët … tempulli i tyre më i shenjtë ishte orakulli i Dodonës, në trevën e Thesprotëve të Epirit” (autori citon Strabonin). Në fq.186: “Pas Thesprotisë janë të quajturit Mollosë … aty është edhe Dodona, faltorja e Zeusit themeluar prej pellazgeve” (citim prej Pseudo Skylaxit).
Pra, rezulton se Dodona është në territorin e Epirit në Thesproti (ose Çamëri sot). Edhe një nxënës i shkollës së mesme e ka të qartë se Thesprotia e Epirit, që sot është Çamëria jashtë territorit të Shqipërisë, nuk është as Tomori ynë e as Dëshnica jonë e Përmetit.
Z. Nelson Çabej, në veprën Prejardhja dhe formimi i popullit shqiptar” (2017), në faqen 271 të kësaj vepre shkruan: “Tmarus / Tomarus (Tomor) – mal në Epirin e lashtë, në rrëzë të së cilës gjendej orakulli i Dodonës. Dy male të tjerë, një në Shqipëri dhe një tjetër në Kroaci, mbajnë po këtë emër – Tomor”.
Pra, kuptohet se megjithëse kanë ngjashmëri dy malet këtej e andej kufirit, ai pohon se Dodona ndodhet në Epir, aktualisht Janinë, por jo në Dëshnicë.
Edhe burri i shtetit të parë shqiptar, Ismail Qemali, në biografinë e tij Kujtime (2000), në faqen nr. 48 shkruan kështu: “Ndër kujtimet më të këndshme dhe më interesante që ruaj nga ajo periudhë, është vizita në një vend, i cili më pas doli se qe faltorja e dëgjuar e Dodonës. Dihej se orakulli i parë i lashtësisë, ai i Dodonës kishte qenë në këto anë”.
Dihet se Ismail Qemali ka jetuar dhe punuar për ca kohë në vilajetin e Janinës në kohën e Perandorisë Osmane, pranë së cilës siç edhe thotë ai ndodhen rrënojat e Dodonës së lashtë.
Profesori i historisë z. Irakli Koçollari, në veprën e tij Ali Pasha dhe Shqipëria në arkivat angleze (2013), në faqen 98, duke cituar informacionin e Morierit për Lordin Hawkesbury (ministër i Jashtëm dhe kryeministër në Mbretërinë e Bashkuar) shkruan kështu: “Nuk mund të gjejmë në Sul, Sellin e dikurshëm, një kombësi barbare e cila përmendet nga Homeri dhe përshkruhet nga Straboni, që banojnë në afërsi të Dodonës”.
Të gjithë e dimë se Suli aktualisht ndodhet në Greqi dhe i përket fiseve ilire të Mollosëve, që Homeri thotë se Sellët (suliotët e mëvonshëm) banonin në afërsi të Dodonës. Kjo Dodonë kuptohet se është shumë larg në kohë dhe hapësirë me Dëshnicën e Përmetit të historianit Mateli.
Përsëri, profesori Kristo Frasheri, në veprën e tij Historia e Çamërisë (2015), në faqen 11 shkruan: “Plutarku njofton gjithashtu, se nga veprat e pellazgëve të hershëm kur ata erdhën në Epir, ishte ndërtimi i faltores së Dodonës, një nga faltoret më të famshme të kohës antike, gërmadhat e së cilës janë zbuluar 18 kilometra në jug të Janinës”. Kurse, në faqen 18 përsëri thotë: “Epiri, i marrë në përgjithësi, fillon në malet Akrokeraune. Ai përfshin në fillim Kaonët … Mollosët, ku ndodhet tempulli i Zeusit në Dodonë” (Në të dyja rastet citimi është marrë nga Plini Sekundi). Pra, siç kuptohet qartë, kjo Dodonë e famshme nuk ndodhet në Kaoni (territoret e sotme të bregdetit Vlorë-Sarandë), por më tutje akoma pra në rrethinat e Janinës (ish popullsia ilire e Mollosëve).
Pra, duan s’duan ca historianë të “akshamit”, tempulli i lashtë pellazgjik i orakullit të Dodonës, jo vetëm që nuk ndodhet në malin e Tomorit apo në Dëshnicën e dashur të z. Mateli, por ajo është një dhe vetëm një dhe ndodhet vetëm në territorin pranë qytetit të Janinës (sot Greqi).
Do donim të gjithë ta kishim brenda territorit të shtetit tonë, por kjo nuk mund të varet nga dëshirat dhe vullnetet tona. Atje e ndërtuan stërgjyshërit tanë të lashtë pellazgët dhe e trashëguan ilirët-arbërorët dhe sot shqiptarët e ditëve tona. Fati ynë i keq që diplomacia e shteteve të mëdha me Konferencën e Londrës 1913, territoret tona etnike i vendosën jashtë kufijve të shtetit shqiptar.
Historiani Mateli, duke mbrojtur idetë e tija patriotiko-historike, ka shkruar për vendndodhjen e Dodonës një sërë punimesh sipas tij shkencore. Vepra e tij madhore më e fundit titullohet E vërteta për Dodonën dhe Epirin (2023). Në këtë botim ai edhe një herë mbron tezën e tij “shkencore” se Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit.
Mua me lind e drejta të komentoj diçka mbi këtë botim që emërtohet studim. Pyes autorin e saj: pse botimi quhet studim dhe jo vepër e plotë shkencore, ose monografi shkencore, apo traktat historik, sepse ka një objekt të vetëm që është Dodona? Vepra e tij është tepër voluminoze prej 438 faqesh. Mendoj se ai duke e ditur se ky botim i tij bie ndesh me konkluzionet e historiografisë zyrtare shqiptare dhe me konceptet shkencore të autoriteteve më në zë në këtë fushë të historisë së antikitetit, ka prirje për subjetivizëm krahinor dhe provincial, i cili mvishet me vellon e atdhedashurisë. Dhe, pikërisht këtë bën ai: E quan studim që nëse kritikohet nga personalitetet kompetente shkencore, ai të mbrohet me idenë se është studim dhe kështu ai është në rrugëtimin e tij të vazhdueshëm në studimin e kësaj teme. Kjo mënyrë ekspozimi i këtij botimi voluminoz, është si ajo shprehja popullore “si mësalla me dy faqe”.
Ja vlen gjithashtu të diskutoj edhe një fakt tjetër të dukshëm të këtij studimi. Si çdo vepër që pretendohet që është shkencore, kam konstatuar se nga pesë recezentë shkencorë, katër prej tyre janë prej Kosove, punonjës shkencorë të Kosovës. Vetëm një është nga Shqipëria dhe ajo është punonjëse shkencore etnografe-kostumografe. Si është e mundur kështu që historiani Mateli, nuk ka zgjedhur si recezentë asnjë personalitet të kësaj fushe nga vendi i tij amë?! Si është e mundur që injoron dhe anashkalon kështu hapur vlerat dhe njohuritë e punonjësve tanë shkencorë të Akademisë të Shqipërisë?!
Po pyes z. Mateli, nga kush e ke mësuar historinë e shqipërisë dhe në veçanti atë të antikitetit?! Ja që prej këtyre profesorëve tanë keni mësuar ju dhe ne të gjithë sipas fushave përkatëse.
Tani dua të analizoj edhe diçka mbi karrierën profesionale të këtij historiani të “akshamit”. Por, pa u bërë as cinik, as nënvlerësues dhe për më tepër të fus hundët në biografinë e tij personale, do desha të komentoja pak. Kështu, më ka tërhequr vëmendjen fakti i CV-së (curriculum vitae) së tij, të shkruar nga autori në kopertinën e pasme të librit. Ai vetëdeklaron se ka lindur në Mazhan të Përmetit në vitin 1951 dhe ka kryer Universitetin e Elbasanit në degën e Gjuhë-Letërsisë shqipe në vitin 1990. Pra, rezulton se ka qenë në moshën madhore rreth 50 vjeçare kur ka kryer ciklin e plotë të studimeve universitare. Në këtë moshë i bie që të ndjekësh studimet me kohë të pjesshme (part time) dhe me një status familjar të plotë. Thotë gjithashtu se studimin për Dodonën e ka nisur në vitin 2000. Desha ta pyes sinqerisht autorin: Si mundet që ju u formuat si një historian i ri “novator” në kaq pak kohë dhe me kryerjen e studimeve universitare në moshën 50-vjeçare?! Normalisht në këtë moshë, studiuesve u duhet të kryejnë studimet post-universitare (mastera, doktoratura etj.) E vështirë kjo përgjigje.
Por, një përgjigje më të mirë për këtë çështje e ka dhënë vet Kristo Frashëri i cili, ka shkruar kështu: “Eksperienca që fiton njeriu gjatë jetës, thonë mendimtarët e shquar, është një kapital i pallogaritshëm. Të rinjve, të cilët kanë nevojë të domosdoshme për të, nuk u shërben pasi nuk e zotërojnë. Të moshuarve, të cilët atë e kanë grumbulluar, nuk u hynë në punë, mbasi për ta karriera ka mbaruar. Lum ata të rinj që kanë aftësi të mësojnë nga eksperienca e të moshuarve”. (Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Kristo Frasheri: Jeta e një historiani, 2014).
Ka edhe më. Një fakt tepër interesant është paraqitja grafike e kësaj vepre studimore. Kështu, kopertina e këtij libri është e njëjtë si në format, në ngjyrën e saj, në madhësinë e germave të titullit dhe ngjyrën e tyre, me atë të veprës madhore Historia e kombit shqiptar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, respektivisht të Institutit të Historisë. Mos rastësi është kjo ngjashmëri në formë? Besoj fort se megjithëse historiani “disident” Mateli e anashkalon, për të mos thënë se e shpërfill këtë institucion të rëndësishëm të shkencës dhe kulturës kombëtare shqiptare, ai megjithatë e vesh mantelin e këtij institucioni, për të marrë paksa nga reputacioni i tij i rëndësishëm shtetëror.
Dhe, së fundi, për t’i vënë një kurorë lavdie të gjithave këtyre arritjeve të CV-së së tij, ai deklaron, sigurisht me modesti, se ai është “Anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve”, me seli në Nju-Jork! Epo nuk ka shkruar kot i madhi Fan Noli: “Mbaju nënë mos ke frikë, se ke djemtë në Amerikë”!
Mos u lodhni kaq larg z. Mateli, se ne Amerikën e kemi këtu në Shqipëri si aleatin tonë strategjik, i cili na ndihmon dhe asiston në mënyrë të vazhdueshme, në gjitha aspektet e jetës sonë ekonomike, politike e shkencore.
Doni më për “Belulin”? Shkoni e lexoni librin studimor me autor K. Mateli me titull Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit, dhe do shikoni se ka “Belulë” të tillë edhe në fushën e shkencave historike. /Gazeta “Dita”/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëGruaja serbe që ndikoi në zgjerimin e Perandorisë Otomane
Atentatet, tenisi dhe 250 cigare në ditë: 50 fakte nga jeta e Ahmet Zogut
Refuzimi amerikan ndaj kërkesës së Leka Zogut për ta përmbysur Enver Hoxhën me ndihmën e sauditëve
Një replikë për “historianët” e akshamit
U rrita si myslimane në një komunitet katolik dhe Maria përfaqësonte një pikë të përbashkët
Ish-bujqit e prapambetur e të palarë u bënë gjyqtarë: Vuajtjet e italianëve nga komunistët jugosllavë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
“Jo, vendi im është atje” – Lionel Messi ka konfirmuar se ku do të shkojë pas largimit nga Inter Miami
Trump nuk u bë brenda natës kripto miliarder
Xheneta Fetahu ngjall dyshime me vizitën në Shqipëri, a po bëhet pjesë e BBVA?
Rashford te Barcelona: Man United me transferim aspak të pritur nga katalunasit
Masivisht po shpërndahet një foto e televizionit kroat - duhet ta shihni se si e quajnë Erdoganin
Barcelona humbet një talent të madh të akademisë – pritet transferimi i tij në Arabinë Saudite