LAJMI I FUNDIT:

Një fjalë për Buvarin dhe një tjetër për Pekyshenë

Një fjalë për Buvarin dhe një tjetër për Pekyshenë

Nga: Berat Armagedoni

Buvar dhe Pekyshe (tit. origjinal Bouvard et Pécuchet) është romani i fundit i papërfunduar i Gustav Floberit që për herë të parë përkthehet dhe botohet në gjuhën shqipe. Kritikët francezë, sapo kjo vepër u botua në Francë pas vdekjes së autorit më 1881, hezituan të shkruajnë. Meqë atëkohë kritika s’shkroi shumë dhe gjatë për të, as publiku s’shprehi interesim të madh për të. Megjithatë, disa vjet pas botimit të saj në format libri (disa kapituj, më 1880, sa autori ishte gjallë, u botuan në revistën Nouvelle Revue) kritika franceze këtë vepër e cilësoi kryevepër të Floberit ashtu sikurse e konsideronte vetë Floberi. Menjëherë po të njëjtin vlerësim nisi ta jepte edhe kritika e huaj, e cila sugjeronte për përkthim të saj në akëcilën gjuhë.

Romani Buvar dhe Pekyshe nga kritika franceze është konsideruar roman enciklopedik, i arritjeve shkencore në fund të shekullit XIX. Së këndejmi, pararendës i romanit të ri të shekullit 20 ose, ndryshe, një roman i ri francez. Ndërkaq, kritika vendëse, po sidomos e huaj (hungareze), e ka quajtur të gjithin përpjekje për shkrimin e historisë së madhe të marrëzisë njerëzore.


Për ta shkruar këtë roman Floberi ka punuar 18 vjet me radhë. Kushedi edhe sa kohë do të shkruante në të po mos të ndërronte jetë edhe disa vjet. Sigurisht edhe shumë gjatë pasi që, sikurse do të lexoni në fund të veprës, autori ka lënë edhe disa shënime për vazhdimin e saj dhe një paralajmërim për një pjesë të dytë. Idenë për këtë roman e kishte marrë nga romani i Barthélémy Maurice, Dy sekretarët e gjyqit (Les deux greffiers), i cili qe botuar më 1841, në të cilin, ashtu si në veprën e Floberit, na paraqiten dy qytetarë parisianë sa të shkolluar, po aq edhe të shkalluar!

Sipas disa korrespodencave dhe bisedave që autori ka pasur me disa miq në kohën kur e shkruante këtë roman, po edhe sipas disa huazimeve të librave që ka marrë në disa biblioteka publike dhe private, ai fillimisht ka lexuar 1 500 koleksione të librave dhe ka pasur qasje, nëpërmjet parapagimit në, së paku, tridhjetë revista shkencore.

Buvar dhe Pekyshe, pasi bëri bujë të jashtëzakonshme si vepër letrare, në vitin 1989 u ekranizua nga regjisori dhe producenti Jean-Daniel Verhaeghe. Filmi, po me të njëjtin titull, edhe pse u realizua mirë, nuk bëri bujë aq sa vepra. E njëjta vepër e Floberit u dramatizua dhe u shfaq në disa teatro të Francës dhe të Evropës nga dramaturgë dhe nga regjisorë profesionistë, disa prej të cilëve më në pah nxirrnin veprimet komike të personazheve, të Buvarit dhe të Pekyshesë, disa të tjerë veprimet tragjikomike të tyre.

Është mirë që ky roman të dramatizohet nga ndonjë dramaturg i Kosovës dhe të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Historia e dhjetë kapitujve të këtij romani është e lidhur kryesisht me personazhet tragjikomikë, me Buvarin dhe Pekyshenë, të cilët lënë qytetin dhe zhvendosen në fshat për të bërë studime eksperimentale. Ata shkrijnë të gjithë pasurinë e vet dhe atë të trashëguar për lloje të ndryshme budallallëqesh, të cilat, ani pse i mërzitin shumë, s’i nxitin që t’i ndërpresin njëherë e përgjithmonë. Pra, aventurat e këtyre dy Don Kishotëve modernë, të Buvarit dhe të Pekyshesë, për të cilët di e gjithë bota, hëm do t’ju mërzitin, hëm do t’ju kënaqin. Ndiqini pas…

SHËNIME:
Autor: Gustav Flober
Titulli: Buvar dhe Pekyshe
Gjuha e origjinalit: Frëngjisht
Përkthyer nga: Verjon Fasho
Lloji: Roman
Madhësia: A5 (21×14 cm)
Faqe: 431

Në trend Kultura

Më shumë
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
KUMBULLA PËRTEJ MURIT

KUMBULLA PËRTEJ MURIT

Fjala+
NJË POEZI PËR PAQEN

NJË POEZI PËR PAQEN

Poezi
Kalo në kategori