Ngrihet flamuri në Vlorë

Aktivitete të shumta dhe festime mbarëkombëtare po zhvillohen sot si në Vlorë ashtu edhe në Tiranë, ku politika shqiptare për herë të parë do i harrojë problemet dhe do jetë e bashkuar.
Presidenti Bujar Nishani, kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kreu i PS-së Edi Rama, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi si dhe ministra dhe personalitete të larta të shtetit kanë marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Vlorë.
Gjithashtu janë zhvilluar homazhe edhe në Monumentin e Pavarësisë si dhe janë vendosur kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka uruar 100-vjetorin e pavarësisë nga RTV “Ora News”. “Gëzuar për shumë mot pavarësinë, kjo është Shqipëria e bashkuar e Ismail Qemalit” ka thënë Jahjaga
Gjithashtu edhe Kryeministri Berisha ka uruar të gjtihë shqiptarët për 100-vjetorin nga Vlora “Gëzuar 100- vjetorin e Pavarësisë. Kjo është dita e Vlorës. Kjo është dita e Shqipërisë, shqiptarë kudo që ndodheni ju uroj gëzuar” ka theksuar Berisha.
Kreu i bashkisë së Vlorës, Gjika uron shqiptarët: Bashkimi, motoja e festës
Fjalën e parë përshëndetëse e ka mbajtur Kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika i cili u ka uruar të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen 100-vjetorin e pavarësisë.
“Ja tek erdhën sot në këtë ditë të bekuar të 28 nëntorit të viti 1912. I gjithë kombi i ka kthyer sytë nga Vlora, nga qyteti jonë i flamurit dhe te ky shesh që mban emrin sheshi i flamurit. Të gjithë shqiptarët u nisën nga të katër anët në një marshim emblematik drejt Vlorës, me kalë edhe me këmbë. Një përshëndje plot me mall më lejoni tua drejtoj atyre që janë larg që nuk mundën dot të jenë këtu me ne. 28 Nëntori është një ngjarje historike nga më të rëndësishmet. Ajo është ditëlindja e të parit shtet modern shqiptar” theksoi Gjika.
Gjika ka theksuar se sot kryefjalë dhe motoja e kësaj dite është bashkimi kombëtar. “Nëse ka një kryefjalë, kjo është bashkimi, bashkimi vllazëror në të tërë dimensionet, në të gjithë spektrin e ngjyrave. Bashkim jo si një mbledhje matematikore por si një bashkim njerëzish. Kjo gjë po ndodh edhe sot. Vlora ka arsye të ndihet krenare pasi jo vetëm është qyteti që ngriti flamurin por edhe qyteti që mbajti të ndezur frymën e lirisë. Ishte Vlora dhe vlonjatët që në çdo moment që i thirri historia ata u përgjigjën me sakrifica sublime” shtoi Gjika.
Nishani: Të pandarë si toka me qiellin
Në fjalën e tij, Presidenti i vendit Bujar Nishani ka theksuar se historia e vendit tonë në faqet e saj të shkruara dhe të pashkruara dëshmon për gjakun e derdhur, për sakrificat e pafundme.
“Ditëlindja e 100-të e shtetit shqiptar është ngjarja më e bukur për çdo bashkëqyetar kudo që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë saj. Pikërisht sot e festojmë të bashkuar, të lirë, të fortë dhe me miq të shumtë. Kam nderin dhe privilegjin ti ndaj me ju këto çaste që janë nga më të veçantat për mua. Prej luftrave të kastriotëve dhe deri më sot simboli ynë, ky flamur që sot në këtë 100 vjetor i cili ka bërë një rrugë të gjatë dhe të mundimshme ia kemi arritur që të mos të ndahemi nga flamuri dhe ti dalim zot” tha Nishani.
"Një vend i vogël preh e synimeve shoviniste nuk u rrëzua, nuk u shua u mbajt fort, u ngrit në këmbë, ushqeu me gjakun e vet ëndrrën për liri, se pati bij të mirë që deshën e mbrojtën trojet e tyre, ne kemi enderra e shpresa të mëdha, Shqipëria e sotme dhe e nesërmja janë vazhdë e ngritjes së flamurit në Vlorë. Ne dhe flamuri ynë jemi të pandarë dhe të padalshëm, si materia dhe mendimi, si ideja dhe veprimi, si toka dhe qielli, si trupi dhe shpirti jemi një. “Flamuri ynë është nga më të pastrit, ai nuk i priu asnjë pushtimi asnjë shkatërrimi, na është dashur ne dhe ne i jemi dashur atij, si simbol mbijetese. Ne na ndrit dhe na e tregon rrugën ky flamur që kemi. Si president i një vendi të lirë më shumë se kurrë pranë BE ku uroj gëzuar festën të gjithë shqiptarëve që në 100 vjet e kaluan të privuar nga liria. Gëzuar festën të gjithë shqip, qoftë e bekuar kjo ditë për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Roftë Vlora, rroftë Shqipëri, rroftë kombi shqiptar” përfundoi fjala e presidentit.
Ndërkohë, grupi i lajmëtarëve të ardhur në këmbë nga Gjilani i kanë dorëzuar presidentit të republikës flamurin kombëtar shqiptar.
“Ne grupi nga Gjilani që udhëtuan në këmbë. Sollëm amanetin e të parëve tanë që dhanë jetën për atdheun tonë. Roftë Shqipëria, rroftë kombi shqiptar” tha një prej lajmëtarëve.
“Marshimtarët të trevave shqiptare që kanë marshuar nga Kosova dhe sot janënë Vlorë sjellin mesazhin e bashkimit kombëtar” tha Nishani ndërsa ka marrë në dorë flamurin. /Telegrafi/




















































