Nga: Bledar Kurti
Nga vijmë? Çfarë jemi? Ku po shkojmë? A nuk është kjo dilema e çdo njeriu? A nuk është kjo esenca e ekzistencës sonë njerëzore? Dhe, a nuk e ka munduar ajo njerëzimin përgjatë gjashtë mijë viteve qytetërim? Mbretër e faraonë, perandorë e filozofë, njerëz të ditur e vdekatarë të zakonshëm e kanë shtruar këtë pyetje me gojë, me penë, me mendje apo me ndjesi të brendshme, pa gjetur ende një përgjigje, duke u dorëzuar ndaj kësaj torture ekzistenciale të pashmangshme, thjeshtë faktike.
Ndër shekuj krishterimi i ishte përgjigjur me lehtësi kësaj pyetje: ne vijmë nga vende qiellore, jemi krijesa të Perëndisë, e do përballemi sërish përpara fronit të Tij, ndaj artistët evropianë nuk e konsideruan të nevojshme ta përdornin këtë temë në artin e tyre, përkundrazi, të vetëdijshëm për origjinën dhe statusin e njeriut, e përdorën artin si ilustrim të kësaj historie me origjinë hyjnore, por, pas lindjes dhe zgjerimit të Iluminizmit në Evropë, artistët nisën të përqendroheshin tek emocionet dhe mendimet e brendshme. Dhe, shtyrë edhe nga lëvizja e Romantizmit në letërsi e art, e cila promovonte ndjenjat dhe individualizmin, dukej më joshëse dhe më artistike, e padyshim më trilluese, që emocionet dhe frika e brendshme të integroheshin me tematikat më të rëndësishme të ekzistencës njerëzore.
Vepra Nga vijmë? Çfarë jemi? Ku po shkojmë? (D’où Venons Nous / Que Sommes Nous / Où Allons Nous, 1898) është piktura më e shquar e Paul Gauguinit (1848-1903) dhe simbol i tre kohëve të ekzistencës njerëzore. Vetë Gauguini dha një përshkrim të hollësishëm të imazheve ezoterikë të pikturës në një letër, shkruar në shkurt të vitit 1898 ku ai e vetë e përmend këtë integrim të romantizmit me Ungjillin:
Kjo është një kanavacë katër metra e pesëdhjetë centimetra në gjerësi, dhe një metër e shtatëdhjetë centimetra në lartësi. Dy qoshet e sipërme janë ngjyrë të verdhë kromi, me një mbishkrim në të majtë dhe emrin tim në të djathtë, porsi një afresk, qoshet e të cilit janë prishur prej kohës, dhe që aplikohet mbi një mur të artë. Në të djathtë në pjesën e poshtme, gjenden një fëmijë i fjetur dhe tri gra që qëndrojnë të ulura në gju. Dy figura të veshura me ngjyrë vjollce ndajnë mendimet e tyre me njëra-tjetrën. Një figurë madhështore, jashtë të gjitha proporcioneve dhe e bërë kështu në mënyrë të qëllimshme, ngre krahët dhe i vështron ata me habi, ata të cilët guxojnë të mendojnë për fatin e tyre. Një figurë në qendër po këput një fryt. Ka dy mace pranë një fëmije. Një dhi e bardhë. Një idhull, krahët e të cilit ngrihen plot mister në një lloj ritmi, duket se tregojnë të Përtejmen. Pastaj së fundi, një grua e vjetër në prag të vdekjes duket se pranon gjithçka, e dorëzuar ndaj mendimeve të saj. Ajo e përfundon historinë! Në këmbët e saj gjendet një zog i çuditshëm i bardhë, duke mbajtur një hardhucë në kthetrat e tij, që përfaqëson kotësinë e fjalëve … Kështu që unë kam mbaruar një tablo filozofike me një temë të krahasueshme me atë të Ungjillit.
Vepra Nga vijmë? Çfarë jemi? Ku po shkojmë? është një tablo me përmasa të mëdha. Ajo ka sfond të errët por ngjyrat e disa figurave janë të ndezura dhe të guximshme. E gjithë vepra duket tejet enigmatike, e pikturuar në leckë të ashpër dhe të rëndë që përdorej për të qepur thasët. Piktura përmban figura të shumta njerëzore, shtazore dhe simbolika të pozicionuara në një peizazh ishullor. Deti dhe malet vullkanike të Tahitit janë të dukshme në sfond. Paul Gauguin ka kombinuar elemente paganë dhe të krishterë, duke ndër-këmbyer mite biblike në një mjedis polinezian të Paqësorit. Figurat kanë kuptime simbolike dhe misterioze të cilat mund t’i përgjigjen pyetjeve të parashtruara nga titulli i veprës. Dhe, porsi një pergamenë e shenjtë e shkruar në një gjuhë të lashtë, piktura duhet lexuar nga e djathta në të majtë: nga foshnja e fjetur, e cila mundohet t’i japë përgjigje pyetjes Nga vijmë? – në figurën kryesore në qendër, si përgjigje e Çfarë jemi? – duke përfunduar në të majtë me gruan plakë të gjunjëzuar e dorëzuar – pra, Ku po shkojmë.
Ngjyrat janë të errëta, por me shpërthime të verdhës dhe blusë. Figurat e Gauguinit shpalosen të largëta, indiferente, hieratike, të frikshme. Ato qëndrojnë shtrirë ose të ulura në një botë që është pa ajër dhe çuditërisht jashtë kufijve. Në mënyrë jo të pazakontë për tablotë e tij, disa prej figurave i kthejnë shpinën shikuesit, shikojnë larg, e të përhumbura. Për shkak se ai jetonte në Tahiti, skena e tablosë paraqitet si një parajsë tahitiane duke krijuar kështu bërthamën e temës së pikturës.
“Thelbi i një vepre qëndron pikërisht në atë që nuk shprehet,” shkroi ai. Dhe kjo vepër nuk shpreh asgjë në mënyrë të qartë, por me enigmën dhe misterin e saj shpaloset si një përmbledhje e ideve të artistit dhe si një ilustrim i betejës artistike në vigjilje të shekullit të 20-të, periudhës më moderne të historisë.
Gauguin iu referua kësaj vepre edhe si një shprehi e fortë e pasionit të tij. Në një letër të vitit 1898 ai shkruan kështu për këtë pikturë:
Njerëzit do thonë se kjo vepër është e kryer pa kujdes, dhe që duket e papërfunduar. Është e vërtetë që artisti e ka të vështirë të gjykojë punën e vet, megjithatë unë besoj se kjo tablo jo vetëm ua kalon veprave të mia të mëparshme, por që nuk kam për të pikturuar ndonjë tjetër më të mirë sesa ajo, apo të ngjashme me të.
Gratë në tablo kanë shprehje pasive, madje ato duken të nënshtruara, tipike e vendeve të kolonizuara. Të zhveshura e primitive ato shpalosen si objekte të kënaqësive tokësore, por edhe një lloj “zgjimi shpirtëror” i artistit. Në fakt i gjithë shekulli 19-të ishte një zgjim për artistët. Të sfiduar nga shpikjet e shumta dhe të irrituar e rebeluar ndaj industrializimit, hijes së rëndë të makinerive mbi brishtësinë e natyrës, artistët u shpërngulën nga qendrat urbane të qyteteve, në kërkim të vendeve të paprekura nga njeriu, e të pa rrënuara nga industria. Edhe jeta sociale dhe argëtimi nisi të zhvendosej në periferitë e qyteteve. Njerëzit e zakonshëm nisën t’i kalonin fundjavat në fshatrat përreth, duke bërë banjë në liqene e lumenj, duke vozitur me varka, apo duke bërë shëtitje në lëndina. Artistët ndjenë shtysën të arratiseshin nga jeta industriale dhe nisën të kërkonin parajsën e tyre krijuese, e të ndërmerrnin një udhëtim në kohë, drejt primitives, në kërkim të origjinës së pa ndotur e të paprekur nga vrazhdësia njerëzore. Këtë arrati dhe pelegrinazh Gauguin e nisi jashtë Parisit dhe e përfundoi në Tahiti, në Detet Jugorë të Paqësorit, për t’u shndërruar vetë në një njeri primitiv por në një artist i cili kapërceu caqet e guximit.
Thirrja e artit e çoi Paul Gauguinin në zemrën e ‘primitivizmit’. Kjo fjalë buron nga fjala e vjetër franceze primitif, që do të thotë “e para, origjinalja”, e cila rrjedh nga fjala latine primitivus, që do të thotë “e para, ose më e hershmja e një lloji.” Dhe në fakt, arti primitiv dallohet qartë në këtë vepër, por mund të konsiderohet edhe si e para, më e hershmja e llojit të vet, një themel i fortë i artit dhe perceptimit modern që do karakterizonte shekullin e 20-të.
Një nga shtysat për arratinë e Gauguin në vende aq të largëta ishte edhe përvoja e vështirë që ai kishte kaluar gjatë qëndrimit në Arles me Vincent van Gogh, e sidomos incidenti i prerjes së veshit. I tronditur nga shpërthimi i dhunshëm emocional i Van Gogh-ut, kur u largua prej tij dhe u kthye në Paris, vetëm dy ditë më pas, Gauguin u bë dëshmitar i një spektakli të dhunshëm. Ai pa ekzekutimin publik të vrasësit të shquar me emrin Prado. Ai ekzekutim përfundoi edhe më keq se sa mund të pritej. Gijotina nuk ra mbi qafën e Prados por i preu vetëm hundën. I burgosuri, duke ulëritur nga dhimbja e paimagjinueshme, u detyrua të pozicionohej sërish, vuri qafën aty ku duhej dhe tehu i gijotinës e kreu më në fund punën për t’i prerë kokën.
Prerje veshi, hunde dhe koke brenda pak ditëve, duket se ishin një arsye e fortë për artistin të largohej nga Franca moderne e të shkonte larg në kërkim të prehjes shpirtërore dhe frymëzimit artistik.
Paul Gauguin ishte një njeri dhe artist paradoksal. Ai lindi në Paris por e kaloi fëmijërinë e tij në Lima, Peru. Në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare u kthye në Francë dhe punoi si marinar, më vonë si toger, në anije të ndryshme tregtare dhe udhëtoi në Amerikën e Jugut, Norvegji, Danimarkë dhe në të gjithë Mesdheun. Më pas ai punoi si agjent tregtar për një bankë parisiene. Ai jetoi një jetë borgjeze dhe ishte një biznesmen i suksesshëm. U martua dhe jeta e tij familjare ishte e qetë, e kënaqshme dhe e begatë. Në vitin 1883, në mënyrë krejt të papritur, ai e braktisi punën e tij në bursë dhe financë për t’u kushtuar tërësisht ndaj pikturës. Rrjedhimisht, të ardhurat e familjes u zvogëluan me shpejtësi dhe kështu ai vendosi të braktiste bashkëshorten dhe fëmijët e tij.
“Po shkoj për në Panama për të jetuar si një njeri i egër,” i shkroi ai gruas së tij, “po marr bojërat dhe penelat e mia me vete dhe atje unë do të zhytem i tëri në natyrë, larg nga të gjithë njerëzit.” Por me të arrirë në Panama ai ndjeu shtysën të shkonte në Martinikë, ku gjeti një parajsë të vërtetë. Atje ai jetoi si një fëmijë i egër, e tërhiqej vazhdimisht nga dëshira për të shkuar gjithnjë e më larg në zonat e thella. Ndaj edhe teksa jetonte në Tahiti ai u strehua në një fshat njëzetë e pesë milje nga kryeqyteti, e shumë shpejt dëshironte të shkonte edhe më larg në të panjohurën primitive. Dhe më pak se një vit pas shpërnguljes së tij ai shprehu dëshirën për të shkuar në ishullin Dominikan (Hiva-Oa) në Markezë, “një ishull i vogël ku ka vetëm tre evropianë dhe bregdeti oqeanik është më pak i prishur nga qytetërimi evropian,” shkroi ai. Dy vjet para vdekjes së tij, ai arriti të shkonte të jetonte në izolim të plotë, duke u bërë një me natyrën. Tre muaj para se të vdiste ai shkroi, “jam i kënaqur, këtu në vetminë time.”
Gauguin rridhte nga një familje e krishterë. Mësimi i katekizmit që në fëmijëri duket se manifestohet edhe tek titulli i veprës Nga Vijmë? Çfarë jemi? Ku po shkojmë? pasi është tejet e ngjashme me pyetjet e katekizmit, si për shembull: Kush të krijoi ty? Cilët janë prindërit tanë? Çfarë do ndodhë me të drejtin? Çfarë është parajsa? etj. Që në fëmijëri ai ishte njohur me historitë mbi vuajtjen dhe sakrificën e Krishtit, ndaj ai e konsideronte vuajtjen si një element të ngjashëm me atë të Krishtit. E duket qartë në pikturat dhe letrat e tij që ai lulëzonte nga vuajtjet dhe vështirësitë, duke pëlqyer të jetonte me ato sesa pa ato. Vuajtjet e bënin të ndihej një artist i vërtetë, i përvuajtur, e jo dikush që bënte kompromis me rehatinë dhe jetën moderne.
Vështirësitë e Gauguinit ishin si ekonomike ashtu edhe artistike. Ai jetoi pjesën e fundit të jetës në varfëri të plotë. Por, vështirësitë që ai hasi ishin të vetë-krijuara, ndaj edhe ai u shndërrua menjëherë në një simbol dhe u vlerësua më shumë se sa kolegët e tij artistë. Ai ishte idealisti që hoqi dorë nga siguria financiare, braktisi rehatinë e shtëpisë, të gruas dhe të fëmijëve, la pas miqtë dhe vendlindjen për të ndjekur një vizion artistik që mund të realizohej vetëm përmes vuajtjes. Dhe sot ai njihet si artisti i cili për të ndjekur thirrjen e artit, u nda nga familja dhe refuzoi të bënte punë të zakonshme jashtë fushës së artit. Për të, vlerat themelore të shoqërisë së asaj kohe ishin kundër traditës romantike të artistit ndaj edhe ai jetoi në arrati duke kërkuar një jetë më të thjeshtë e të pa korruptuar nga qytetërimi perëndimor.
Por, ai nuk e gjeti kurrë atë lloj jete. Shëndeti i tij ishte tejet i dobët dhe i ligë, financat e tij ishin katastrofë dhe vajza e tij e preferuar, Aline, vdiq nga ethet, në moshën 19 vjeçare. Gauguin ishte larguar nga qytetërimi, por tre pyetjet e paraqitura nga artisti në këtë vepër përmbledhin atë që çdo individ i çdo qytetërimi përpiqet për të kuptuar: cili është kuptimi i jetës?
Me marrjen e lajmit të vdekjes së vajzës, ai vendosi t’i jepte fund jetës së tij, por më parë do të pikturonte kryeveprën Nga vijmë? Çfarë jemi? Ku po shkojmë? Ai punoi ditë e natë, i sëmurë e nën ethe të shumta. Me të përfunduar pikturën, ai piu arsenik për të vrarë veten por mbijetoi.
Gruaja e tij nuk mundi ta falte kurrë për braktisjen që ai i bëri dhe për varfërinë në të cilën gjendej familja, ndërsa Gauguin nuk mundi të shpëtonte dot nga vetmia e tij. Pasi la familjen e vendosi të merrej me art ai i shkroi gruas: “Ti ke fëmijët me vete, bashkatdhetarët e tu, vëllezërit dhe motrat e tua, shtëpinë tënde”. Më pas ai përmendte se atij i mungonin fëmijët, dhe se trishtohej nga fakti që ata nuk i shkruanin, as edhe një kartolinë nuk i dërgonin, as për ditëlindjet e tij. Kur mori lajmin e vdekjes së vajzës ai shkroi me një ton paradoksal vetë-vuajtje dhe arrogance artistike, e cila e karakterizonte atë gjithmonë: “Lajmi nuk më tronditi, pasi jam mësuar prej kohësh me vuajtjet, por pastaj dita-ditës, kur kujtimet më riktheheshin, plaga hapej gjithnjë e më thellë, dhe në këtë moment që po shkruaj unë jam plotësisht i dekurajuar.” Në një letër tjetër ai shkroi: “Të gjithë dashurojnë sipas mënyrës së tyre, sepse për disa dashuria bëhet më e fortë në varr, ndërsa për të tjerët – nuk e di. Varri i saj gjendet larg, bashkë me lulet, gjithçka është një iluzion. Varri i saj është këtu pranë meje; lotët e mi janë lule të gjalla.” Kjo ishte letra e tij e fundit, e cila kurrë nuk mori përgjigje nga gruaja e tij. Në vitin 1902 ai i shkroi një miku: “Unë ende nuk kam marrë asnjë lajm nga gruaja ime dhe fëmijët e mi më njohin gjithnjë e më pak. Ç’të bësh! Plaga po shërohet pak nga pak në vetminë time.
Si artist, Gauguin njihet në histori si një nga figurat më të rëndësishme të artit dhe botëkuptimit modern, por si njeri ai ishte tejet kompleks dhe ndoshta i papëlqyer. Edhe Vincent van Gogh e përmend me dyjëzim natyrën e personalitetit të Gauguin. Në një letër drejtuar të vëllait Theo, Van Gogh e përshkroi atë si dikush që bën “gjëra që unë dhe ti nuk do t’i bënim kurrsesi, sepse ne kemi ndërgjegje”. Megjithatë, në një kontekst tjetër, ai deklaroi se shoku i tij kishte “vlera më shumë si njeri sesa artist.”
Gauguin nuk është njeri i lehtë për t’u pëlqyer. Nga shkrimet e tij dhe dëshmia e bashkëshortes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij ai na shfaqet figura e një maniaku dhe një ngacmuesi vetë-mëshirues. Ai jetoi fantazitë e tij artistike dhe mashkullore e dyshohet se vdiq nga sifilizi ose overdoza. Shpesh i çuditshëm dhe i zjarrtë, i guximshëm dhe i çuditshëm. Ai ishte i kobshëm në çdo gjë përtej ambicieve të tij artistike. Ai ishte gjithnjë në kërkim të Kopshtit të Edenit të kohëve moderne dhe pelegrinazhi i tij shoqërohej nga një aureolë romantizmi, enigme, primitivizmi, simbolizmi, minimalizmi, dhe ekspresionizmi. Në veprat e tij vërehet atmosfera arkaike por edhe penelatat e guximshme të cilat manifestohen me trupa femërore të egra, me qenë të zi, rozë apo me ngjyrë portokalli, me pemë ngjyrë blu, e peizazhe larg industrisë e dëmit njerëzor e më pranë vetë natyrës.
Për Gauguinin, periudha e jetës në Paqësor ishte artistikisht më revolucionarja. Tahiti ishte për të si Kopshti i Edenit. Ai ndihej si Adami dhe figurat femërore të zhveshura ishin porsi Eva e egër ende teksa ecte lakuriq, pa turpin mbi veten, me të gjithë bukurinë e saj kafshërore, por me një buzëqeshje ironike në buzët e saj e cila na shfaqet në çdo tablo të artistit, herë duke na parë enigmatikisht e herë e përhënur në indiferencën e saj.
Ai vetë ndihej si një njeri i egër, i arratisur nga qytetërimi dhe kjo dallohet lehtë teksa shpaloset në artin e tij të thjeshtëzuar. Me primitivizmin e tij ai e urrente simetrinë, ndaj edhe guxoi të kritikonte qytetërimin grek, ikonën e simetrisë dhe gjeometrisë. “Gabimi i madh i historinë është Greqia” mendonte ai. Egjipti, Persia, Kamboxhia, druri japonez, imazhet e Epinalit, sipërfaqet e sheshta dhe linjat e guximshme, këto ishin ato që ai preferonte, dhe qytetërimet e tjera i konsideronte si derivate të atyre primitive. Ai dëshironte të minimizonte mjetet e tij. Ishte gjithmonë në kërkim të formës së thjeshtëzuar. Si një peintre maudit (piktor i mallkuar) dhe artist “i arratisur”, ai kundërshtoi fuqishëm realitetin e jashtëm, racionalizmin e madje mbarë qytetërimin perëndimor. Por sado u largua nga qytetërimi ai ndihmoi në ecurinë dhe përshpejtimin e modernizmit në artin dhe qytetërimin perëndimor, e sa më shumë ai i referohej primitives aq më shumë ndikonte në themelimin e një botëkuptimi avant-garde. Dhe ai e bëri këtë jo vetëm përmes figurave por edhe sipas qasjes ndaj artit, e cila buronte nga imagjinata në trurin e artistit, dhe askund tjetër, dhe nga ku arti shpalosej edhe më i fortë sepse krijohej nga brenda artistit. Dhe ishin këto elementë, origjina, imagjinata dhe burimi i brendshëm, ato që mbizotëruan artin dhe botëkuptimin e shekullit të 20-të, të cilin ai e preku vetëm për pak vite.
Sot Gauguin njihet si një prej etërve të artit modern. Ai e hodhi poshtë traditën e natyralizmit perëndimor, duke përdorur simbole abstrakte. Ai theksoi modelimet lineare dhe harmonitë e kontrasteve të ngjyrave, duke i mbuluar pikturat e tij me një ndjenjë të thellë misteri. Evropianët i konsideruan barbare dhe të egra tablotë e tij, dhe kjo ishte pikërisht ajo që kërkonte Gauguin. Ai ndihej krenar kur e quanin barbar. Por, vepra Nga vijmë? Çfarë jemi? Ku po shkojmë? nuk pëlqehej e nuk preferohej nga blerësit dhe humbi për shumë vite. Emri i Paul Gauguin u harrua për tre vite pas vdekjes por më pas mori famën e zuri vendin që meritonte në historinë e artit.
Arti na shpalos fytyrat e tij për të na komunikuar një mesazh. Me këtë vepër arti na tregon udhëtimin e njeriut modern pas në kohë, dhe se si ai zbulon ende edhe sot po të njëjtin mister, dilemë, dhe yshtje, dhe na fton të gjejmë përgjigjen e asaj pyetje e cila e ka shoqëruar njerëzimin gjatë të gjithë epokave, Nga vijmë? Çfarë jemi? Ku po shkojmë? /Gazeta “ExLibris”/
(Post scriptum: Për Shpresa Beqirin, mësuesen time e cila që në fëmijëri më frymëzoi të përjetoj magjinë e ngjyrave e të eci në gjurmët e mistershme të artit)
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëTraditat dhe ritet e dikurshme të dasmave shqiptare
Parashqevi Qiriazi, Kongresi i Manastirit dhe “Himni i Alfabetit” me burim nga Kolegji Yale
Thënie për nënën: Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!
Fjalimi i Skënderbeut!?
ADONIS
GJUHA SHQYPE
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj