Kosova, përveçse dallohet me një gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, me numër enorm të të papunëve, me dështime të investimeve të huaja, shquhet edhe për humbjen e parave - nga pacientët që kërkojnë shërim në vendet e rajonit. Kjo e fundit ndodh për shkak të mungesës së besimit që qytetarët kanë tek institucionet tona shëndetësore.

Nëse analizojmë investimet dhe avancimin e shëndetësisë së Kosovës, del se institucionet përkatëse me vite të tëra janë në gjumë. Sepse, këtu, përveç mungesës së shërbimeve kualitative nëpër institucione publike, burokracia nuk lejon hapjen e spitaleve private - kualitative dhe serioze - përmes të cilave kosovarëve do t’ju shkurtohej “rruga” e shërimit. Mbi të gjitha, paratë e tyre - në vend se të shkonin në Maqedoni apo gjetiu - do të mbeteshin në Kosovë dhe do të investoheshin në Kosovë.


Para pyetjes se çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës për përmirësimin e gjendjes në njërin prej sektorëve më vital të një shteti, t’ju përkujtojmë se çfarë bëjnë vendet tjera për shëndetin e qytetarëve të tyre me sëmundjet akute.

Në vendin më të fuqishëm në glob, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), për çdo vit më shumë se 700 mijë pacientë me infarkt të miokardit (IM) me elevim ST(STEMI), arrijnë në qendrat emergjente. Gjithashtu, një milion e 680 mijë amerikanë lajmërohen nëpër qendrat shëndetësore, me sindrom akut koronar (SAK). Ndërsa, 100 mijë të tjerë pësojnë vdekje të papritur nga zemra. Nëse i kthehemi kontinentit të vjetër - bazuar në statistikat evropiane të kardiologjisë - 5.1 persona në çdo 1000 njerëz vdesin nga sëmundjet e zemrës. Ky numër është më i lartë në vendet e Evropës juglindore (në Bullgari - në çdo 1000 persona vdesin tetë; në Poloni - në çdo 1000 persona vdesin nëntë).

Nëse ua hedhin një sy vendeve të rajonit, rezulton se në Maqedoni 60 për qind e vdekjeje shkaktohet pikërisht nga sëmundjet kardiovaskulare, që do të thotë se numri i të vdekurve nga kjo kalon numrin e 12 mijë personave.

Në mungesë të të dhënave zyrtare në vend, mund ta marrim me mend se gjendja në Kosovë - sa i përket kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse - nuk është hiç më e mirë. Si pasojë e kësaj - gjithnjë duke tërhequr një paralele me shtetin fqinj që ka numër të përafërt të banorëve - Kosova humb më një qytezë, apo mbi 12 mijë banorë në vit. Këto vdekje shkaktohen si pasojë e disa formave të sëmundjes së zemrës, apo arterieve të zemrës, prej të cilave shfaqja më e rëndë është infarkti i miokardit (IM). Infarkti akut i miokardit shënon shkallën më të lartë të vdekshmërisë në spital - në mungesë të trajtimit adekuat nëpër institucione spitalore - sidomos në vitin e parë të sëmundjes. Pra, mund të themi se kjo sëmundje (IM) është dhe do të jetë vrasësi dhe armiku kryesor i këtij vendi në zhvillim.

Kështu, për shkak të një vdekje të papritur, për çdo vit - pos që humbet numri i njerëzve që do të popullonte në një qytezë - shumë e shumë “qyteza tjera” mbesin pa më të dashurit e tyre!

Vdekjet, si rezultat i asaj që njihet si “infarkt i zemrës”, janë të njohura në mesin e qytetarëve të Kosovës. Një numër tjetër i madh i vdekjeve në Kosovë janë rezultat e kancerëve të llojeve të ndryshëm. Pastaj kemi sëmundje për të cilat mungon aparatura e nevojshme për tu diagnostifikuar. Ndaj, këto bëjnë që njerëzit në Kosovë në shumë raste të vdesin duke mos e njohur as sëmundjen nga e cila kanë lënguar!

Është e tmerrshme që vdekjet në Kosovë ndodhin për arsye banale. Kosovarët vdesin nga mungesa e informatave; si pasojë e mospërkujdesjes së institucioneve përgjegjëse; nga mungesa e edukatës në raport me mjekun; nga niveli i ulët i përgatitjes profesionale të stafit mjekësor; nga bindja e gabuar se disa nga sëmundjet e zemrës dhe kancerit nuk shërohen; nga mungesa e verifikimit të drejt të sëmundjes si rezultat i analizave jo të sakta...

Lista e anomalive të tilla që ka kapluar shëndetësinë kosovare është shumë e gjatë, e të gjitha këto i paguan qytetari me jetën e tij. Ndërsa, për habinë e të gjithëve, askujt nga institucionet shtetërore s’i ka shkuar në mend që të bëjë diçka konkrete në këtë drejtim, për të ndryshuar statistikën e vdekjeve.

Një investim me mbi 25 milionë euro - i një fondi shtetëror amerikan, i cili rezulton të jetë ndër më seriozët në rajon (dhe më gjerë) - që punëson rreth 500 persona, ka kapacitet për të ofruar zgjidhje. Ky projekt synon që përveç shërbimeve të cilave ua ofron qytetarëve të Kosovës, të ndikojë edhe në kursimin e parave të kosovarëve.

Mirëpo, gjithçka po zvarritet, përderisa nuk ka licencim nga Ministria e Shëndetësisë dhe kabineti i kryeministrit të Kosovës.

Rëndësia e zhvillimit të sektorit të shëndetësisë në Kosove është jo vetëm i domosdoshëm, por ofron mundësi shërimi, kursim të buxhetit dhe respekt për familjen dhe individin. Mijëra pacientë nga Kosova detyrohen të kërkojnë shërbime shëndetësore në vende të tjera të rajonit, si në Maqedoni, në Shqipëri, Turqi, apo në Serbi. Shumat të cilat shpenzohen nga kosovarët për mjekimin e këtyre sëmundjeve jashtë vendit, arrijnë në rreth 70 milionë euro në vit. Këto informata i kanë të njohura edhe institucionet kosovare, por si duket dikush ka prirje që ta ruajë monopolin e fitimit të shumave të majme në kurriz të pacientëve Kosovarë.

Institucionet e Kosovës e kanë privuar Spitalin Amerikan - si një nga investimet më serioze në Kosovë, që nga periudha e pasluftës - nga licensa për të filluar punën dhe shërbimin për mjekimin e kosovarëve. Asnjë arsye ligjore nuk ka që ky spital të mos fillojë punën. Ndaj, shtrohet pyetja se a janë këto institucione në shërbim të interesit qytetar apo kundër tij?

Në pyetjet të cilat i ka dërguar Telegrafi, në adresë të kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, nuk ka marrë përgjigje në këto dilema. Pyetjet kanë të bëjnë me atë se cilat janë arsyet (në aspektin ligjor) se pse Spitali Amerikan (një investim i fondit shtetëror amerikan Bedminster) nuk po lejohet të kalojë në objektin e ri, kur dihet se ligji i vjetër (udhëzimi administrativ) në të cilin mbështetet kjo ndalesë nuk është me në fuqi. Për më tepër, ka një vendim të Qeverisë së kaluar për mbështetjen dhe lejimin e këtij projekti.

Për rëndësinë e këtij investimi flet edhe interesimi i veçantë që ka treguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), në Prishtinë, e cila ka kërkuar sqarime nga ekzekutivi kosovar për arsyet e pengimit të realizimit të këtij projekti. /Telegrafi/