Merita për këtë i takon Rexhep Berishës, me qëndrim në Bazel, pronar i firmës R.B. Import& Export dhe i restorantit “Sängerstübli”, në po këtë qytet. Ai tregon se përpjekjet për të sjellë në Zvicër birrën e Pejës, janë të mëhershme. Madje kjo birrë prej disa vitesh mund të blihet në të ashtuquajturat “etnomarkete” (shitoret me mallra ballkanike) pastaj në Dener-Satelit dhe në Spar. “Markën” e Birrës së Pejës ai e ka regjistruar që në vitin 2008 dhe e gëzon ekskluzivitetin për importimin e saj në Zvicër.

“Por për ta promovuar këtë produkt kosovar në rrjetin e shitoreve të Coop-it është investuar goxha kohë dhe mund”, thotë Berisha. Duke ditur kërkesat e larta që parashtron Zvicra dhe në veçanti Coop-i, është dashur të kalohen disa procedura që i praktikojnë këtu për futjen e një malli në asortimentin e tyre. Sjellja e mostrave të birrës nga Kosova, dërgimi i tyre për ekzaminim në laboratorët e këtushëm, negociatat me përgjegjësit e shitjes, janë disa nga vështirësitë që duheshin kaluar.


“Na është dashur të bëjmë edhe ndryshimet e domosdoshme në etiketat e shisheve. Tash në to, mbi logon “Birra Peja”, sipas kërkesës së distributorëve, nuk shkruan më “Pilsner” por “Original”. Pastaj teksti është shkruar në tri gjuhët e Zvicrës: gjermanisht, frëngjisht dhe italisht”, sqaron Rexhep Berisha.

Ai thekson se “Birra Peja” fillimisht do të plasohet në 460 filiala të COOP-it (nga rreth 1400 sa i ka gjithsej). “Për fillim, birra jonë do të vendoset në raftet e produkteve me origjinë nga Ballkani. Më vonë, nëse do të ketë kërkesa, ajo do të hyjë edhe në asortimentin e gjerë të birrave zvicerane e të tjera”.

Ndërkohë që birra e Pejës pas një muaji do të mund të blihet në Coop, importuesi i saj, Rexhep Berisha vazhdon përpjekjet e tij për të importuar edhe produkte tjera nga Kosova në po këtë ndërmarrje. /Albinfo.ch/Telegrafi/