Të kalosh festat e fundvitit në shtrirë në shtrat derisa familja feston, nuk është një perspektivë që shumë prej nesh e shijojnë. Por, me rritjen e aktiviteteve sociale festive dhe me një numër të madh mikrobesh që qarkullojnë, disa prej nesh mund të përballen me këtë skenar të pakëndshëm.
Disa nga sëmundjet që rrezikojmë t’i kemi në prag të festave, janë gjëra për të cilat jemi mësuar të dëgjojmë deri më tani, si gripi dhe ftohja e zakonshme. Mirëpo, ka pasur gjithashtu një rritje të gjendjeve tjera infektive, si norovirus dhe RSV, ndërsa në skenë ka hyrë edhe një variant i ri i COVID-it.
Virologët kanë paralajmëruar për një kollë që mund të zgjasë deri në 100 ditë, ndërsa rastet janë rritur në përqindje të madhe krahasuar me vitin e kaluar.
Në vijim, hedhim një vështrim në shtatë sëmundjet sezonale që kërcënojnë t’jua prishin ditët festive:
Gripi
Gripi është gjithmonë një shqetësim në këtë periudhë të vitit. Ndërsa shumica e njerëzve mund të shërohen nga gripi në shtëpi, ka të ngjarë që ju të mos ndiheni të gatshëm të merrni pjesë në festimet e fundvitit – për të mos përmendur që nuk duhet, pasi virusi është shumë i transmetueshëm.
Simptomat e gripit mund të shfaqen menjëherë dhe brenda një ose dy ditësh pasi të jeni infektuar me virusin.
Ato përfshijnë:
Temperaturë e papritur prej 38 °C ose më lart
Dhimbje trupi
Ndjeheni të lodhur ose të rraskapitur
Kollitje e thatë
Dhimbje fyti
Dhimbje koke
Vështirësi për të fjetur
Humbje e oreksit
Diarre ose dhimbje barku
Ndjeheni të sëmurë
Gjëja më e mirë që mund të bëni është të pushoni, të pini shumë lëngje, të merrni ilaçe kundër dhimbjeve dhe të qëndroni larg të tjerëve. Por, kërkoni ndihmë nëse simptomat tuaja vazhdojnë për më shumë se një javë.
COVID
Mjekët kanë ngritur alarmin për një variant të ri, “shumë të transmetueshëm” të quajtur JN.1, për të cilin kanë frikë se mund të godasë spitalet e mbushura me pacientë me grip dhe norovirus.
Deri më tani, ekspertët nuk presin që simptomat e këtij varianti të ri të ndryshojnë shumë nga ato të mëparshmet.
10 simptomat më të zakonshme aktualisht janë:
Dhimbje fyti
Rrjedhje nga hunda
Hundë të bllokuara
Teshtitje
Kollitje pa gëlbazë
Dhimbje koke
Kollitje me gëlbazë
Zë i ngjirur
Dhimbje muskulore
Ndjenjë e ndryshuar e nuhatjes
NHS këshillon që të përpiqeni të qëndroni në shtëpi dhe të shmangni kontaktin me njerëz të tjerë për pesë ditë pasi të keni dalë pozitiv për COVID. Është gjithashtu e rëndësishme që të shmangni njerëzit që kanë më shumë gjasa të sëmuren rëndë prej tij, 10 ditë pasi ta keni bërë testin. Kjo do të thotë të mos shoqëroheni me gjyshërit gjatë periudhës festive nëse mendoni se keni COVID.
Virusi sincicial respirator (RSV)
RSV është një virus jashtëzakonisht i shpeshtë që shumica e fëmijëve do ta marrin në një moment në vitet e para të jetës. Në shumicën e rasteve, do të shkaktojë simptoma të lehta dhe të ngjashme me ftohjen, por disa fëmijë mund të zhvillojnë një infeksion në gjoks të quajtur bronkiolit.
Simptomat e RSV priren të përfshijnë:
Rrjedhje nga hunda
Ulje të oreksit
Kollitje
Teshtitje
Temperaturë
Fishkëllimë gjatë frymëmarrjes
Sa i përket bronkiolitit, Asthma + Lung UK raporton se simptomat e lehta janë:
Temperaturë pak e ngritur (temperatura normale për foshnjat dhe fëmijët priret të jetë rreth 36.4 °C)
Kollë e thatë dhe e vazhdueshme
Vështirësi gjatë ushqyerjes
Vështirësi në frymëmarrje ose frymëmarrje të shpejtë
Frymëmarrje e zhurmshme – e njohur edhe si fishkëllimë
Prindërit duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore për të vegjlit e tyre nëse simptomat e bronkiolitit përkeqësohen dhe ata kanë vështirësi në frymëmarrje ose kanë temperaturë të lartë.
Kolla e mirë
Kolla e mirë (e njohur edhe si pertusis) është një infeksion bakterial i mushkërive dhe rrugëve të frymëmarrjes, i karakterizuar nga një tingull i dallueshëm ‘huip’ pasi të sëmurët marrin frymë midis kollitjeve. Sëmundja përhapet shumë lehtë dhe mund të zgjasë për disa javë ose muaj, prandaj quhet kolla 100-ditore. Trajtimi spitalor zakonisht nevojitet nëse simptomat bëhen të rënda.
Viroologu Richard Tedder ka thënë për Sun Health se rastet ka të ngjarë të rriten gjatë festave të fundvitit, kështu që i këshilloi njerëzit të mbajnë maska dhe ata që kanë të drejtë të marrin vaksinën për ta bërë këtë.
Shenjat e para të kollës së mirë janë të ngjashme me ftohjen, si rrjedhja nga hundët dhe dhimbja e fytit. Temperatura e lartë është e pazakontë.
Pas rreth një jave shfaqen:
Periudha të kollitjes që zgjasin për disa minuta dhe janë më të këqija gjatë natës
Tingull ‘huip’ – një kërkim për ajër midis kollitjeve (duhet pasur parasysh se foshnjat e vogla dhe disa të rritur mund të mos e kenë këtë tingull)
Vështirësi në frymëmarrje pas një periudhe të kollitjes dhe foshnjat mund të bëhen të kaltra ose ngjyrë hiri
Mukozë e trashë, e cila mund te nxisë të vjella
Skuqje në fytyrë (më shpesh te të rriturit)
Këshillohet vizita te mjeku nëse të rriturit ose fëmija i tyre kanë simptomat e kollës së mirë, ose kanë pasur një kollë për më shumë se tri javë që po përkeqësohet.
Pneumonia
Pneumonia është një inflamacion i mushkërive që zakonisht shkaktohet nga një infeksion dhe mund të ketë një rritje në muajt e dimrit. Zakonisht duhet të trajtohet me antibiotikë dhe shumica e njerëzve do të shërohen brenda rreth dy deri në katër javë. Megjithatë, foshnjat dhe të moshuarit mund të kenë nevojë për trajtim spitalor.
Simptomat përfshijnë:
Kollë – mund të kolliteni duke nxjerrë mukus të verdhë ose të gjelbër (gëlbazë)
Frymëzënie
Temperaturë e lartë
Dhimbje gjoksi
Dhimbje trupore
Ndjeheni shumë të lodhur
Humbje e oreksit
Zhurma në formë të fishkëllimës kur merrni frymë – foshnjat mund të bëjnë gjithashtu zhurma gërmimi
Ndjeheni konfuz (e shpeshtë te të moshuarit)
Gjëja më e mirë që mund të bëni nëse keni pneumoni është të pushoni, të shmangni kontaktin me njerëzit, të pini shumë lëngje dhe të merrni paracetamol ose ibuprofen për të lehtësuar simptomat.
Pneumonia zakonisht shkaktohet nga një infeksion bakterial ose viral, kështu që ju mund ta merrni atë nga dikush që e ka atë. Është gjithashtu e mundur të zhvillohet infeksioni pas infektimit me grip ose COVID.
Norovirusi
Një tjetër shqetësim i sezonit festiv është norovirusi – që njihet si ‘infeksioni i të vjellave të dimrit’. Virusi shumë ngjitës shkakton periudha të papritura të vjellash ‘me predhë’ dhe diarre.
Simptomat kryesore janë:
Të përziera
Të vjella
Diarre
Temperaturë e lartë
Dhimbje koke
Dhimbje barku
Dhimbje të krahëve dhe këmbëve
Është shumë e lehtë ta marrësh nga dikush tjetër virusin, duke prekur sipërfaqe ose objekte të infektuara, ose duke ngrënë ushqim që është përgatitur nga dikush me të. Pra, nëse keni simptoma të norovirusit, as nuk duhet të mendoni ta përgatitni ushqimin gjatë festave.
Ka mënyra për të frenuar përhapjen e tij, duke u treguar të zellshëm me larjen e duarve me sapun dhe ujë të ngrohtë, lani ushqimin përpara se ta përgatitni dhe hani. Gjithashtu duhet t’i dezinfektoni në mënyrë rutinore sipërfaqet.
Ftohja e zakonshme
Sigurisht që ftohja duket si më e lehta nga shtatë sëmundjet e listuara këtu. Por, hundët e bllokuara dhe një dhimbja e fytit ende mund t’ju pengojnë në festimet e fundvitit.
Ndryshe nga gripi, simptomat e një ftohjeje të zakonshme shfaqen gradualisht dhe përfshijnë:
Hundë të bllokuara ose rrjedhje nga hunda
Dhimbje fyti
Dhimbje koke
Dhimbje muskulore
Kollitje
Teshtitje
Temperaturë e ngritur
Presion në veshë dhe fytyrë
Humbje e shijes dhe nuhatjes
Mund të jeni ende në gjendje të merrni pjesë në disa festime, por është më mirë të qëndroni në shtëpi nëse keni temperaturë ose nuk ndiheni mirë.
Mund t’i lehtësoni simptomat me barna kundër dhimbjeve dhe spërkatje dekongjestive. Sigurohuni që t’i hidhni shpejt faculetat e përdorura dhe lani duart shpesh për të shmangur përhapjen e mikrobeve tuaja.
/Telegrafi/