Netanyahu i dërgon urime Trumpit për ditëlindje, i referohet si aleat besnik

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka dërguar urime të përzemërta presidentit të SHBA-së Donald Trump për ditëlindje, duke e lavdëruar atë si një aleat besnik ndërsa Izraeli vazhdon të bombardojë Iranin.
Shtypi izraelit ka spekuluar në javët e fundit rreth një përçarjeje midis dy udhëheqësve, me Netanyahun që kërcënoi të sulmonte Iranin edhe pse SHBA-të negociuan me Teheranin për të frenuar programin bërthamor të diskutueshëm të Iranit.
Megjithatë, disa orë pasi Izraeli nisi sulmin e tij të madh ndaj Iranit, Trump tha se sulmet ishin "të shkëlqyera" dhe "shumë të suksesshme".
Netanyahu u përgjigj të shtunën duke “e mbuluar” udhëheqësin amerikan me lëvdata, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
"Gëzuar ditëlindjen, president Donald J. Trump", tha Netanyahu në një deklaratë.
"Ju jeni një udhëheqës i jashtëzakonshëm, i vendosur, i guximshëm, me vizion të qartë dhe veprim të qartë. Ju bëtë gjëra të mëdha për Izraelin."
Ndërsa aeroplanët luftarakë izraelitë goditën vende të lidhura me programin bërthamor të Iranit, Netanyahu e përcaktoi operacionin në kontekstin e një lufte më të gjerë midis shoqërive të lira dhe një "regjimi kriminal në Iran" që kërkon të ushtrojë dhunë në të gjithë botën.
"Armiku ynë është armiku juaj dhe duke bërë atë që po bëjmë, po përballemi me diçka që herët a vonë do të na kërcënojë të gjithëve. Fitorja jonë do të jetë fitorja juaj", tha Netanyahu.
Ndryshe, lideri izraelit gjithashtu i uroi ushtrisë amerikane 250-vjetorin, duke i quajtur trupat amerikane "roje të lirisë për dy shekuj e gjysmë". /Telegrafi/




















































