Nëna e gatshme të shesë organet e trupit për ta shëruar vajzën

Leonorës mjekët kosovarë i kanë këshilluar operim jashtë vendit, por prindërit e kanë shumë të vështirë t’ia mundësojnë një gjë të tillë.
E gjendur në këtë situatë, nëna e saj, Arifja, ka vendosur të shesë organet e trupit të saj për t’i gjetur shërim vajzës.
Ajo tregon se me shumë vështirësi i kanë bërë kontrollet brenda Kosovës, ndërsa shërimi jashtë vendit as që vjen në shprehje si pasojë e kushteve të vështira ekonomike, transmeton KTV.
Ministria e Shëndetësisë ua ka refuzuar kërkesën për mbështetje financiare.
“Ky rast është shqyrtuar dy herë, vite më parë nga Komisioni Mjekësor i Programit të trajtimit jashtë vendit, i cili ka rekomanduar palës që të aplikojë në Komisionin Invalidor për realizimin e të drejtave nga sfera sociale, meqë një diagnozë e tillë është vlerësuar nga komisioni që nuk mund të trajtohet. Pala e ka tërhequr lëndën”, tha Faik Hoti, zëdhënës i MSH-së.
Ndërkaq, familjarët janë shprehur se nuk kanë lënë institucion pa i trokitur në derë, por askush nuk i mori parasysh.
E, derisa Kosova nuk ka kushte për trajtime të tilla, Leonora apo edhe personat me fatin e njëjtë do të vazhdojnë të mbesin të mbyllur larg nga fëmijëria e ëndërruar që ajo ka./Koha.net/Telegrafi/

















































