Dragan Markovic, i njohur me pseudonimin Palma, është kryetar i Komunës së Jagodinës në Serbi. Jagodina nuk është komunë e madhe, por namin e ka të madh falë pikërisht Palmës. Ai ka punuar aq shumë, sa që ia kanë zili kolegë komunash shumë më të mëdha.

Qyteti i Jagodinës është i pastër, i rregulluar e i ndërtuar. Me kopsht zoologjik e park të madh argëtimi. Nëpër rrugë nuk shihen lypës e as të pastrehë. Palma ia ka dalë që bashkëqytetarëve t’u sigurojë jetë të dinjitetshme. Dhe për këtë është shpërblyer nga ta.
Ka fituar miliona investime direkte ndërkombëtare në komunën e tij dhe, po ashtu, ia ka dalë që qytetin ta kthejë në vend turistik.

Jagodinasit janë në gjendje që për Palmën të votojnë sa herë të organizohen zgjedhje lokale. Ai tashmë ka themeluar edhe parti politike në nivel nacional dhe pretendon të bëhet faktor i rëndësishëm politik. Modelin e udhëheqjes e ka.

Palma është biznesmen. Në publik njihet edhe për deklarata jo fort të peshuara mirë. Por, më së shumti njihet për punë të mirë.

* * *

Në Kosovë asnjë qytet nuk i përngjan Jagodinës. Diku nuk ka kanalizim, diku nuk ka rrugë të rregulluara, e në tjetrin mungojnë parqet, ashensorët, uji… Për mirëqenien e qytetarëve më mirë të mos flitet.

Më 15 nëntor qytetarët do t’iu ofrohen edhe njëherë kutive të votimit. Duhet të votojnë për dikë. Për atë, i cili të paktën me premtime ua ka mbushur mendjen se do t’ua ndryshojë jetën sadopak: se ujërat e zeza s’do t’ua zënë frymën, se mbeturinat s’do t’i ngulfatin, se këmbët s’do t’iu shkelin në lloç, se do të kenë punë, bukë, ujë, gjelbërim…

Sa mirë do të ishte që në Kosovë të kishim një komunë model, e cila do të menaxhohej si duhet dhe banorët e së cilës do të ishin vërtet krenarë. Diçka si Jagodina e Palmës.

OK, mbase krahasimi nuk është me vend, nuk është “politikisht korrekt”, por shembhuj të mirë na duhen edhe po që se janë të dreqit të mallkuar, e lëre më të kojshive.

Aq shumë kemi dëgjuar premtime në këtë fushatë, sa që nuk do të ishte hiç çudi që dikush të premtonte edhe mbjellje palmash nëpër rrugë, që të freskoheshim nën hijen e tyre. Të premtonte urë aty ku s’ka lumë, e lumë aty ku s’ka ujë. Marrëzia s’ka kufi. As politika njerëzi.

* * *
Dragan Markovic-Palma ishte hit një kohë të gjatë me deklaratën e tij se në Jagodinë nuk ka asnjë homoseksual. Tipi ishte i bindur në atë që thoshte. Sipas logjikës, ai i njihte aq mirë bashkëqytetarët e tij, sa që mund të fliste edhe për orientimin e tyre seksual.

Në Kosovë punët shkojnë aq keq, sa që kryetarët e komunave nuk dinë ose nuk duan të dinë as për gjëra esenciale të punës që bëjnë, e lëre më për qytetarët, të cilëve duhet t’u shërbejnë. Psh. ata nuk duan ta dinë se në krye të komunës nuk janë për keqmenaxhim, hajni e pasurim në kurriz të njerëzve që i kanë zgjedhur.

Nuk duan ta dinë se komuna nuk qeveriset me akraba e miq, por me njerëz punëtorë e profesionistë. Dhe, derisa t’i marrin vesh këto dhe të tjera gjëra si këto, do të vazhdojnë të jetojnë nën hijen e palmave të premtuara. E qytetarët e shkretë, duke mallkuar ditën që ata e morën pushtetin, do të vazhdojnë të rrojnë siç dinë e siç munden.

P.S. Më 15 nëntor duhet dalë në zgjedhje. Edhe nëse nuk keni për kë të votoni. Qoftë edhe për ta bërë të pavlefshme fletën tuaj të votimit. Më mirë ju, sesa t’ua plotësojnë të tjerët, sipas qejfit të tyre. Apo, jo?

(Editorial i gazetës “Profil”)