- Liberalizimi i vizave për një jetesë më të mirë, apo për rëndimin e saj? -

Vendet e rajonit kanë ecur një hap drejt Evropës me rastin e liberalizimit të vizave, duke u mundësuar banorëve të këtyre vendeve të lëvizin lirshëm në drejtime të ndryshme. Në proces janë edhe Shqipëria dhe Bosnja, ndërsa Kosova ende nuk është në rrugën e duhur edhe pse po flitet shumë në këtë drejtim.


Për gjithë popullin e Kosovës është zhgënjyes fakti që kemi mbetur të izoluar dhe të diskriminuar krahas vendeve tjera të rajonit, por në anën tjetër, kemi pasur rastin të kuptojmë shumë gjëra që fshihen pas liberalizimit të vizave që kanë fituar këto vende para pak kohësh. Aq sa kanë fituar banorët e këtyre vendeve, në anën tjetër kanë rënduar edhe më shumë gjendjen sociale, sidomos të shqiptarëve që jetojnë në këto vende.

Jemi dëshmitarë të zhvillimeve që janë bërë pas kohës së heqjes së vizave në Maqedoni dhe Serbi, duke pasuar një fluks i madh i shqiptarëve nga këto vende drejt Evropës, për të gjetur një jetë më të mirë për ta dhe familjet e tyre, por realisht janë përballur me një gjendje krejt tjetër dhe zhgënjyese për ta, duke u detyruar që të kthehen në vendin e tyre shumë shpejtë dhe duke thelluar edhe më shumë gjendjen ekonomike, pasi që kanë shitur pasuri të patundshme. Nga kjo kemi mësuar shumë dhe do jemi më të kujdesshëm në rast të heqjes së vizave për vendin tonë.

Duhet kuptuar mirë, se liberalizimi i vizave nuk nënkupton për ne që të jemi të lirë të punojmë në cilin do vend të Evropës, por vetëm si vizitorë të tyre, duke mos ndryshuar asgjë për familjet me një standard jetesë më të ulët, por vetëm një mundësi e mirë për të pasurit që të mos kenë pengesa në lëvizje për të shfrytëzuar mundësinë e vizitave në vende të ndryshme dhe duke shijuar bukuritë e tyre, e cila gjë “nuk vlen” për pjesën tjetër të popullit të Kosovës.

Vullneti ynë është shumë i madh që sa më parë të kemi liberalizim të vizave, por nuk di a jemi ende të gatshëm për një gjë të tillë, pasi që do të pasojnë edhe tek ne flukse të mëdha të kategorive të ndryshme drejt Evropës perëndimore, por sidomos të të rinjve që janë të pakënaqur me jetesën në Kosovë dhe shkallën e lartë të papunësisë, duke i nxitur ata që sa më parë të lëshojnë vendin, por shpresoj se kemi mësuar nga rasti i shqiptarëve në Maqedoni dhe Serbi, për situatën e krijuar në këto vende pas largimit të shumë banorëve nga vendet e tyre.
Disponimi i një pjese të madhe të popullit është që të largohet nga vendi që në momentin e heqjes së vizave dhe atë pa hezituar dhe pa menduar dy herë për një vendim të tillë, por ekziston frika që në këtë situatë më së shumti do të jenë përfitues kompanitë e udhëtimit e askush tjetër. Nuk duhet të biem në grackë e të marrim vendime të shpejta, me bindjen se në Perëndim do të gjejmë një jetë më të mirë, por mendoj se do pasoj një situatë e kundërt, duke pasur parasysh pamundësinë e punësimit në mënyrë të rregullt dhe rrezikut për të humbur të drejtën e udhëtimit në këto vende në rast të zënies duke punuar në mënyrë jo të ligjshme. Pra, rreziku është shumë më i madh në këtë rast se sa do të ketë lehtësim për momentin, kështu që nuk duhet të marrim vendime të shpejta për t’u larguar nga vendi pa e analizuar mirë situatën dhe rrezikun që mund të vie nga kjo ngutësi.

Liberalizimi i vizave duhet të jetë i domosdoshëm edhe për vendin tonë, por shpresojmë se derisa të bëhet një gjë e tillë të ndryshojë edhe diçka në të mirë të punësimit në vendet perëndimore, duke i dhënë të drejtë pune për ata që kanë një vullnet të tillë, por një mundësi e tillë do të jetë shumë e vështirë, pasi që do të krijohet një debalancë në jetën e banorëve vendës të Evropës perëndimore. Në anën tjetër, ekziston frika se liberalizimi i vizave për Kosovën do të sjellë një krizë edhe më të madhe për banorët e saj.

Mbetemi me shpresën se Kosova do të integrohet krahas vendeve të rajonit dhe të hapen rrugë drejt zhvillimit e më së shumti ofrimi i mundësisë së punës në vendet e zhvilluara evropiane.

(Autori është student në Master)