Në New York, për ta prezantuar vullnetin e popullit

Kështu ka deklaruar sot udhëheqësi i Ekipit të Unitetit, presidenti Fatmir Sejdiu. Delegacioni i Kosovës niset për në Nju Jork i vendosur që edhe në takimin e drejtpërdrejtë me Beogradin të mos pranojë as një lidhje të re me Serbinë dhe të mos diskutohet pavarësia, tërësia territoriale dhe pakoja e Ahtisaarit.
Sejdiu tha me këtë rast se pavarësisht qasjes së Beogradit ndaj statusit, Prishtina mbetet e angazhuar që të nxisë procesin dhe ta përfundojë sa më shpejtë. Serbia, shtoi ai, kërkon qe padrejtësisht ta mbajë Kosovën nën sovranitetin e saj.
"Nuk presim diçka që mund të quhet pjesë specifike e marrëveshjes apo formë tjetër. Pavarësisht nga qëndrimi i Beogradit, ne jemi të interesuar që të nxisim procesin që të ecë sa më shpejt dhe të përfundojë ditët e negociatave shtesë", theksoi Presidenti Sejdiu. Ndërkohë lidhur me deklarimet e disa zyrtarëve serbë se autonomia është maksimumi që mund të japë Serbia për Kosovën, Presidenti Sejdiu tha se përgjigjen në këtë çështje pala kosovare ka kohë që e ka dhënë, se pavarësia është zgjidhja e vetme.
Ndërkaq kryeministri, Agim Çeku, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se Ekipi i Unitetit duhet te jetë unik sa i përket caktimit të datës për shpalljen e pavarësisë dhe me vendime konkrete të udhëtojë në bisedime që po zhvillohen.
"Ne nuk shkojmë në New York që të caktojmë data apo të kërkojmë data, ne këtu në Prishtinë do të caktojmë datën dhe besoj se jemi në proces dhe procesit i kanë mbetur edhe disa ditë, do të kemi kohë dhe besoj që në mënyrë unanim do ta mbyllim këtë proces", tha Çeku.
Edhe anëtari tjetër i këtij Ekipi, Hashim Thaçi, tha se në bisedimet e drejtpërdrejta pala kosovare udhëton me qëndrime konkrete dhe nuk do të pranojë asnjë lidhje të re që mund të propozohet nga faktor të ndryshëm. Ndërsa lideri i Partisë Reformiste ORA, Veton Suroi, vlerësoi se, propozimet e palës kosovare sa i përket statusit i takojnë shekullit të 21-të dhe nuk vijnë nga shekulli i 19-të, oferta të cilat i propozon Serbia.
Ndryshe para takimit të drejtpërdrejtë mes Prishtinës dhe Beogradit, paraprakisht të enjten do të mblidhet Grupi i Kontaktit në nivel të ministrave të jashtëm të cilët do të caktojnë agjendën e bisedimeve për takimin e 28 shtatorit. /qik/


































