Policia e Kosovës ka njoftuar se pasditen e sotme në një operacion bastisje në Mitrovicën e Jugut në një banesë kanë gjetur dhe kanë konfiskuar 67 aparate për prodhimin e kriptovalutave.
Sipas njoftimit, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Jugut, nën dyshime të arsyeshme për veprimtari të kundërligjshme në orët e pasdites së sotme kanë realizuar një bastisje.
“Si rezultat i hetimeve është arritur të lokalizohet dhe identifikohet lokacioni, me ç’rast bastisja është realizuar në një banesë në rrugën ‘Fan Noli’ në Mitrovicën e Jugut. Gjatë bastisjes për veprimtari të kundërligjshme janë gjetur dhe sekuestruar 67 aparate të lidhura me pajisje elektrike dhe internet që dyshohen se përdoreshin për prodhimin e kriptovalutave”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Më tej thuhet se për pajisjet e gjetura dhe veprimtarinë e kundërligjshme hetuesit policor kanë identifikuar personin e dyshuar.
“Lidhur me veprimet e ndërmarra dhe pajisjet e sekuestruara është njoftuar prokuroi i çështjes i cili ka sugjeruar që për veprime të mëtejme hetimore lidhur me rastin dhe pajisjet e sekuestruara të merren autoritetet doganore”.
Ndërsa, po sot në fshatin Surkish të Podujevës janë konfiskuar tri aparate për prodhimin e kriptovalutave.
Ditë më parë Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në vendin tonë, për shkak të krizës energjetike.
Lidhur me këtë vendim, Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se vendimi është marrë duke u bazuar në rekomandimet e Komitetit Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.
Ndryshe, Ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur më 4 janar 2022, se do të ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Kosovës për shkak të krizës energjetike. /Telegrafi/