Sa i përket perçeve, sirianët ishin më të shpejtë se francezët. Dy javë para miratimit të parë të ndalimit të mbulimit të fytyrës në publik nga Asambleja Kombëtare franceze korrikun e kaluar, regjimi i Damaskut kishte marrë masa të rrepta, shkruan Deutsche Welle. 1200 mësuese që mbanin perçe u transferuan në vende, ku ato nuk kishin kontakt me fëmijët.

“Në shkollat fillore ka pasur probleme me mësueset e mbuluara plotësisht. Ka pasur vështirësi komunikimi midis mësuesve dhe nxënësve. Prandaj, nga ana e ministrisë së Arsimit është marrë vendimi që mësueset e mbuluara krejtësisht me çarçaf të largohen krejtësisht nga shërbimi në shkolla...” i shpjegon masat e qeverisë në Damask avokatja dhe veprimtarja e grave, Dad Musa.


Edhe në universitete pohohet se ekzistojnë të njëjtat probleme komunikimi për shkak të numrit të lartë të studenteve me perçe.

Në Siri, si në shumicën e vendeve të botës arabe numri i grave të mbuluara nëpër rrugë vitet e fundit është shtuar shumë, edhe nëse shumica e sirianeve nuk mbulohen krejtësisht. /Telegrafi/