LAJMI I FUNDIT:

Ndikimi i lobit serb në politikat ndërkombëtare kundër shtetit të Kosovës

Lobi serb, ndonëse po përballet me vështirësi, edhe më tutje ka një mekanizëm aktiv, të shpërndarë në shumë shtete të botës, të cilët janë mjaft aktivë dhe të mirëfinancuar. Përmes këtij mekanizmi, ky lob po përdorë të gjitha mjetet për ta diskredituar përparimin dhe të arriturat e shtetit të Kosovës.

Lobi serb në Uashington (duke përfshirë edhe Kongresin e Unitetit Serb dhe përfaqësuesit e kishës ortodokse serbe në SHBA, në Serbi dhe në Kosovë), vazhdojnë të jenë shumë prezentë, duke përdorur një propagandë të fortë, të lansuar përmes dhjetëra projekteve, përmes të cilave përditë e më shumë po intensifikohen përpjekjet e tyre për ta nxjerrë Kosovën jashtë binarëve të rregullt të funksionimit si shtet i pavarur.

Serbo-amerikanët kanë një pozitë të mirë në administratën amerikane, prandaj kabineti i kryetarit të Serbisë çdo javë mbanë kontakte me serbo-amerikanët me ndikim në SHBA. Ministria e Jashtme e Serbisë ka marrë rol parësor në shtetin serb, si pjesë e angazhimit kundër Kosovës me tërë potencialin e vet.


Lobi serbo-amerikan i njeh mirë interesat e Serbisë dhe vazhdimisht lobojnë dhe bëjnë presion politik tek lidhjet e tyre në Senat dhe në Kongres, duke agjituar dhe duke tentuar t’i bindin ata, sipas tyre, për të “vërtetën” e Kosovës. Serbët që jetojnë në SHBA, por edhe në vende tjera janë të unifikuar kundër Kosovës. Ata kanë ndikuar edhe te kompanitë e mëdha informative dhe mediatike, te njerëzit me ndikim në fushën e artit dhe të kulturës, të politikës dhe te strukturat me peshë të sistemuar në BE, OKB, OSBE e qarqe tjera të rëndësishme ndërkombëtare, duke i bindur ata që të mos e përkrahin çështjen e Kosovës më tutje, duke i krijuar Serbisë madje edhe favore të reja, për t’ju kthyer prapë bisedimeve të reja rreth çështjes së statusit të Kosovës.

Kohëve të fundit, Kosova është goditur nga këto struktura, rreth aferave të fundit, lidhur me korrupsionin, paaftësinë e gjykatave dhe krimin e organizuar, duke e paraqitur Kosovën para bashkësisë ndërkombëtare të paaftë për t’i menaxhuar këto kriza. Lidhur me këtë lobi serb po shfrytëzon energji të madhe për prezantimin e shqiptarëve si “liderë” të rrjeteve të krimit të organizuar, të përfshirë në trafikimin me qenie njerëzore, me drogë dhe me armë në Ballkan.

Sa për ilustrim, Serbia nuk ka hezituar ta përmendë rastin e fundit në ish-republikën jugosllave të Maqedonisë, të përleshjeve të armatosura ku u vranë në rrethana të pasqaruara katër shqiptarë dhe u burgosën disa të tjerë. Me këtë rast ata e përmendin Kosovën si qendër të aktiviteteve të paligjshme.

Lobi serb po tërheqë diagonale shumë të rrezikshme në diskreditimin e shqiptarëve në botë, duke u përpjekur pareshtur që të fusin dhe të instalojnë frikë te SHBA-të, me theks të veçantë në Kongresin Amerikan, e veçanërisht në botën e pas 11 shtatorit 2001. Sipas tyre, shumica shqiptare e Kosovës paraqet një forcë myslimane, potencialisht armiqësore në zemër të Evropës, edhe pse shqiptarët e Kosovës ashtu edhe shqiptaret tjerë kudo nëpër botë janë myslimanë, katolikë, ortodoksë, të cilët jetojnë në harmoni të plotë me njëri tjetrin por edhe me popujt tjerë tash e sa shekuj, duke treguar një kulturë e tolerancë ndërfetare e ndërnjerëzore që është ndër shembujt unikatë në botë.

Agresiviteti dhe kriminaliteti ka qenë i theksuar nga serbët, të cilët kanë bërë gjenocid dhe shfarosje në masë ndaj të gjithë popujve tjerë josllavë që kanë jetuar në hapësirat e ish-Jugosllavisë.

Lufta mediatike dhe diplomatike që zhvillon Serbia kundër Kosovës është e ndyrë. Ndonëse pa kurrfarë bazash faktike, lobi serb po përhapë urrejtje raciste kundër shqiptarëve, duke e keqpërdorur edhe religjionin për qëllime dhe përfitime politike veçanërisht në Perëndim.

Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe strukturat tjera ndërkombëtare, liderët politikë, por edhe tërë populli i Kosovës pa dallim, duhet t’i kundërvihen angazhimit të Beogradit dhe politikave të tij për minimin e pavarësisë së Kosovës, sepse mbi angazhimet e tilla politike të Beogradit kundër Kosovës, do t’i mungojë edhe për shumë vite paqja Evropës Juglindore jo për fajin e shqiptarëve, por për tolerimet që po u bëhen politikave agresive të Serbisë ndaj Kosovës.

Për t’i realizuar qëllimet e veta, Këshilli Kombëtar Serb ka paguar qindra lobues, që kanë potencial afirmativ në botën e qytetëruar, të cilëve bota u beson nëse ne nuk u kundërvihemi fuqishëm dhe me argumente, po në prizmin e diplomacisë dhe të lobimit. Ata e kanë paraqitur dhe po e paraqesin rrejshëm gjendjen e serbëve në Kosovë, duke i fryrë dhe banalizuar rastet që nuk kanë ndonjë peshë në zhvillimet politike.

Që nga përfundimi i luftës, tolerimet që i ka bërë misioni i UNMIK-ut, që në shumicën e rasteve pothuajse të gjitha dokumentet e kësaj administrate, duke përfshirë këtu edhe shkresat zyrtare të Kosovës, të cilat sipas rregullave kanë qenë në tri gjuhë, në shumicën e rasteve është vërejtur termi “Kosovo i Metohija”, term ky që dikush në administratën e Kosovës e ka toleruar për të qarkulluar si i tillë një kohë të gjatë.

Koncepte të tilla të qasjeve i hasim edhe sot, pas më shumë se dy viteve të pavarësimit të Kosovës, në disa pjesë të saj. Mediat tona, televizionet, fotoreporterët e gazetarët kanë pasqyruar në vazhdimësi lejimin e qarkullimit me tabela të ish-Jugosllavisë për qytetarët serbë, në disa vende e komuna valon flamuri i Serbisë dhe të gjitha mbishkrimet janë në cirilikë, në shumicën e rasteve nëpër enklava, njësoret e rrymës kontrollohen nga Elektroekonomia e Serbisë. Edhe më tutje Serbia përzihet në linjat hekurudhore dhe në dikastere të mëdha të ekonomisë, me pretekst se kanë qenë pjesë e ekonomisë së Serbisë gjatë kohës së Millosheviqit.

Gjatë këtyre dy viteve të paspavarësimit na ka rënë të hasim shkrime ku në mes tjerash thuhet “Posta e Serbisë në Republikën e Kosovës” (aludohet në hapjen e Postë Telekomit të Serbisë në Graçanicë), në anën tjetër shumë kompani të mëdha serbe janë futur në Kosovë, duke i shkatërruar përmes konkurrencës ekonomitë e vogla të bizneseve vendore etj., që në arenën ndërkombëtare kanë bërë që Serbia të krijojnë qasje direkte në Kosovë, duke i përfshirë këtu edhe zgjedhjet e fundit ilegale serbe, të organizuara më 30 maj në Mitrovicë e Novobërdë.

Dhjetëra libra janë shkruar kundër UÇK-së dhe eprorëve të kësaj ushtrie. Në qindra uebsajte serbe (shumë prej tyre edhe zyrtare), gjenden emrat e drejtuesve të UÇK-së, të kërkuar për “krime lufte” e për vepra tjera, me aktpadi të ngritura nga ministria e drejtësisë së Serbisë që në kohën e Milosheviqit, e të përtërirë nga qeveritë vijuese, ku vazhdojnë të jenë bashkëvepruesit dhe pasuesit e Milosheviqit. Disa prej tyre, në raste të caktuara edhe zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës, janë ndaluar nëpër botë si të kërkuar në bazë të këtyre listave të Serbisë të dërguara në Interpol.

I ashtuquajturi “Libri i Bardhë” i Serbisë kundër Kosovës dhe një varg librash e materialesh si këto, ndonëse nuk kanë të bëjnë asgjë me të vërtetën, edhe si të tilla i japin Kosovës një imazh jo të mirë në arenën ndërkombëtare, prandaj duhet t’i mbledhim forcat progresive dhe mendjet intelektuale në vend e në diasporë, të krijojmë plane e strategji të reja për t’ju kundërvënë këtyre të pavërtetave, dezinformatave e gënjeshtrave kundër Kosovës, që i kanë lansuar dhe po vazhdojnë t’i lansojnë Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë në bashkëveprim me institucionet tjera politike e fetare të Serbisë, të cilët i kanë koordinuar punët me shumë shtete të botës, për të lobuar kundër Kosovës.

Kosova ka përkrahje të fortë dhe ka krijuar miq e simpati në botë, por duhet ta shfrytëzojmë këtë përkrahje dhe mbështetje për të treguar të arriturat e progresin e vendit tonë në afirmim të Kosovës si shtet i ri, i cili si i tillë ka vështirësitë e veta gjatë zhvillimit. Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës, ambasadat tona, dhe disa institucione tjera duhet të forcohen në shkallë superiore të funksionimit, duke i shpërndarë punët te njerëzit që kanë njohuri, që kanë lidhje dhe ndikim në vendet e zhvilluara, duke angazhuar kompani dhe grupe anekënd botës për afirmimin e çështjes së Kosovës, sepse situata e krijuar nga Serbia në qarqet ndërkombëtare me angazhimin tonë do të ndryshojë gradualisht për të mirë.

Programet e shtetit serb ndaj Kosovës, ato të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, duke përfshirë këtu edhe dikasteret tjerë të sigurisë, janë shndërruar në projekte të politikës serbomadhe, duke krijuar një bazë të fortë hegjemoniste ndaj shtetit të ri të Kosovës. Duhet kujtuar se ekspansioni serb ndaj Kosovës nuk fillon në këtë kohë por shumë më herët. Serbia disa herë gjatë historisë e ka pushtuar Kosovën, falë ndihmës së Rusisë dhe miqve tjerë ndërkombëtarë. Edhe sot politika serbe ndaj Kosovës është e njëjtë, andaj duhet kushtuar kujdes, sepse Perëndimi po zgjohet ngadalë, madje nuk duket që ka vullnet për ta trajtuar fare këtë fenomen si shprehje e ekuilibrave të paekuilibruar.

Kosova në këtë kohë ka një “stabilitet të ngrirë”, siç thuhet në raportin e YIHR-së, kurse faktet në terren tregojnë se ka nevojë për një Kosovë ndryshe që të ndihet dhe të përjetohet pavarësia, e këtë ndjesi po e pengon Serbia, përmes mekanizmave që ka krijuar rreth vetes si brenda në Kosovë (nëpër enklava), si në rrafshin e politikës ndërkombëtare. Kjo gjendje duhet zhbllokuar sepse nesër do jetë vonë për të gjithë ne.