Rregullorja e re, e cila pritet që t’i shkojë shumë shpejt Këshillit të Ministrave për miratim, vjen në një kohë kur Shqipëria po rrit ndjeshëm volumin dhe prodhimin e naftës, ndërkohë që edhe kompanitë e përfshira në këto operacione janë të shumta, raportoi e përditshmja Panorama.

“Për vitin 2011, prodhimi i naftës bruto pritet të arrijë në rreth 850 mijë ton, nga të cilat rreth 800 mijë ton do të prodhohen në kuadër të Marrëveshjes së Hidrokarbureve”, tha ministri Naço.


Zoti Naço shtoi se investimet që janë kryer në kërkimin e hidrokarbureve kapin vlerën e 800 milionë dollarëve. Ai shtoi se rregullorja e re synon vendosjen e një disipline të plotë tekniko-shkencore në veprimtaritë e kryera në këtë sektor dhe njëkohësisht ka si synim edhe ruajtjen e mbi e nëntokës dhe mjedisit në tërësi.

“Rregullorja sanksionon ushtrimin e të drejtës së kontrollit dhe auditimit ekonomik e financiar nga organet që administrojnë në rrugë zyrtare aktivitetin në sektorin energjetik dhe hidrokarbur. Përcaktimin e masave për parandalimin e ngjarjeve të pakontrolluara në këtë sektor dhe organizimin e funksionimin e njësive përkatëse”, tha Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës./Telegrafi/