Ndonëse zyrtarisht mohon të ketë vendosur për ndonjë emër konkret që do të garojë për kryetar të Prishtinës, Lidhja Demokratike e Kosovës e vlerëson pozitivisht punën e kryetarit aktual, Isa Mustafa. Për këtë arsye, në këtë parti nuk e përjashtojnë mundësinë që Mustafa të jetë sërish kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Zyrtarë të PDK-së ndërkaq, jozyrtarisht kanë theksuar se menaxheri i suksesshëm i IPKO-s, Akan Ismaili, mund të jetë një nga kundërkandidatët e denjë të Isa Mustafës. Madje, ata janë të bindur se Ismaili mund ta mposhtë kandidatin e LDK-së.

Vetë Ismaili ka pohuar të ketë dëgjuar të flitet edhe më herët për këtë çështje, mirëpo e ka mohuar që dikush nga PDK-ja t’ia ketë propozuar këtë ofertë. “Unë kam obligime në punë dhe s’kam konsideruar të hyj në politikë ende. Asnjëherë nuk është biseduar kjo çështje me mua”, ka thënë Ismaili për gazetën.

AAK-ja ndërkaq, është në kërkim të një personaliteti për t’ia kundërvënë Isa Mustafës. Zyrtarë të lartë të AAK-së i kanë thënë gazetës se kundërkandidat i Isa Mustafës mund të jetë edhe nënkryetari i parë i kësaj partie, Blerim Shala, mirëpo, zyrtarisht askush nuk dëshiron të flasë për këtë mundësi.

Në dy partitë të tjera opozitare, Aleancën Kosova e Re dhe Lidhjen Demokratike të Dardanisë pohojnë të mos kenë vendosur ende se kush do të jetë kandidati i tyre për Prishtinën. Edhe pse LDD-ja nuk e përjashton mundësinë që ky kandidat të jetë ndonjëri nga nënkryetarët e partisë.

Përveç emrave të mësipërm, nëpër parti përfliten edhe emra të tjerë si kandidatë potencialë, mirëpo secila duket se është në pritje të lëvizjeve të partive të tjera për të vendosur për kandidatin e saj. /K.Ditore/Telegrafi/