LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Gazi e molotovi nuk e ndalën rritjen ekonomike

Mustafa: Gazi e molotovi nuk e ndalën rritjen ekonomike

Përkundër pengesave të opozitës, me gaz e koktej molotovi, Qeveria ka arritur 4 për qind normën e rritjes ekonomike.

Kështu tha kryeministri, Isa Mustafa në hapjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Ai ka përmendur po ashtu rritjen e investimeve të huaja si një nga indikatorët që ka ndikuar në rritjen ekonomike.


Mustafa ka premtuar se Qeveria do të vazhdojë me përkushtim krijimin e kushteve sa më të favorshme për bizneset.

“Jemi ballafaquar me pengesa nga opozita dhe me një opinion të cilit ju është imponuar kryesisht çështja e demarkacionit dhe Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne edhe përkundër kësaj kemi arrit që agjendën ekonomike të Qeverisë ta vëmë në rend parë. Kemi arrit po ashtu një agjendë të qëndrueshme që të krijojmë kushte norma për bizneset dhe që të krijojmë një zhvillim ekonomik me të cilin ne mund të mburremi, por i cili nuk është ai të cilin e synojmë dhe e kemi prit….Ne presim që të kemi një rritje ekonomike si në vitin e kaluar prej rreth 4 për qind, që është rritja më e lartë në regjion, e cila mund të them se është arrit edhe përkundër dhunës, gurëve, gazit lotsjellës, motivit me të cilët jemi ballafaquar në mënyrë shumë të ashpër gjatë vitit të kaluar”, tha Mustafa.

Ai po ashtu ka përmendur si të arritur edhe rritjen e investimeve të huaja vitin e kaluar dhe këtë vit.

“Vitin e kaluar po ashtu kemi arrit të absorbojmë rreth 324 milionë euro investime të huaja direkte, që është një rritje dy herë më e madhe se sa një vit më parë. Po ashtu kemi një rritje edhe të kompanive me pronarë investitor të jashtëm. Statistikat tregojnë se edhe në periudhën janar-qershor të këtij viti ne kemi një rritje prej 36 për qind të kompanive me pronar të huaj dhe që veçmas na gëzon neve se kemi një shtim prej 31 për qind të bizneseve ku pronare janë gratë, që është një faktor tepër i rëndësishëm i politikave tona ekonomike”, tha Mustafa.

Kreu i Qeverisë ka përmendur si arritje edhe hyrjen në fuqi të MSA-s, projektin Kosova e Re, duke thënë se me realizimin e këtij projekti do të sigurohet edhe furnizim i rregullt me energji elektrike.

Po ashtu tha se investimet do të fokusohen në përmirësim të infrastrukturës dhe me reformat në prokurimin publik.

Mustafa ka përsëritur se shumë shpejt do të ri-procedohet në Kuvend ligji për Investime Strategjike, i cili para disa javësh nuk ka kaluar në Kuvend.