LAJMI I FUNDIT:

Mujota: Në Kosovë janë 60 projekte në realizim

Mujota: Në Kosovë janë 60 projekte në realizim

Ka filluar rikonstrukturimi i rrugës regjionale R126 segmenti Pollatë –Demë Ahmeti, rrugë kjo e cila do të ketë një gjatësi prej 7.44 km.

Sipas,ministrit të Infrastrukturës Fehmi Mujota, kjo rrugë i dedikohet heroit kombëtar Demë Ahmeti, dhe gjithë dëshmorëve dhe heronjve të kësaj ane. Mujota theksoi se rruga po e lë mbrapa kohën e vështirësive për të qarkulluar dhe për të komunikuar me vendbanimet tjera.

“Po investohet kudo në Kosovë aktualisht kemi më tepër se 60 projekte në realizim dhe natyrisht po bëjmë fjalë për projekte të mëdha nacionale. Një ndër këto projekte të mëdha nacionale është edhe ky projekt jo vetëm se është rrugë regjionale por nga karakteri historik, për nga rëndësia që ka dhe mbi të gjitha në prag të fillimit të një rruge tjetër nacionale po ndodh kjo punë , e ajo rruge tjetër nacionale është rruga Deçan-Plavë pas dy ditësh do e nisim edhe këtë rrugë”, theksoi Mujota.


Sipas tij, Qeveria e Kosovës me gjithë kapacitetin e saj ka investuar dhe do të vazhdojë të investojë në mënyrë që jetën e qytetarëve ta bëjë sa më të lehtë dhe më të mirë.
Kurse, Muhamet Latifi, banor i fshatit Pollatë dhe njëherit zëvendësministër i FSK-së tha se të gjithë banorët ndjehen mirë sepse projekti i kësaj rruge është shumë i rëndësishëm.

Ndryshe, projekti i kësaj rruge do të kushtojë 1,200,743,15 euro, ndërsa punëkryesi është “Jaha Company” dhe “Alko Impex” nga Podujeva /Telegrafi/