Muhabete rrugësh
Mbledhja e qeverisë u thirr urgjentisht. Shpejt e shpejt u njoftuan edhe gazetarët. Por jo, qeveria nuk po merrte asnjë vendim të rëndësishëm për fatin e këtij vendi. Urgjenca kishte të bënte me kundërvënien e kryeministrit Hashim Thaçi ndaj kritikave të rivalit kryesor të tij, kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, i cili kishte thënë se kjo qeveri nuk mund t’i përfundojë austostradat.
Thaçi paralajmëroi se autostrada Vërmicë-Merdar do të nisë në vjeshtë, ndërkaq Haradinaj deklaratat e tilla i quajti folklor. Pas muhabeteve për “arkatarë të SHIK-ut”, “njerëz të dëshpëruar” e korrupsion, muhabetet për rrugë janë “komunikimi” i fundit ndërmjet pushtetit e opozitës.
Në vendin më të varfër dhe më të izoluar të Europës, pushtetarë e opozitarë nuk përtojnë të përgojojnë njëri-tjetrin. Qytetarët e vendit me papunësinë super të lartë, varfërinë super të thellë dhe zhvillimin ekonomik në minus detyrohen të dëgjojnë muhabete, të cilat nuk iu interesojnë fort. Para se të mendojnë se kush do ta fillojë e kush do ta mbarojë autostradën, atyre iu duhet të mendojnë se si të mbijetojnë. Pensionistë me pensione për marre, mësues e mjekë me paga të padinjitetshme, e mijëra të tjerë me ndihma sociale qesharake përbëjnë popullin, të cilit po i “buzëqeshin” autostradat.
Të dhënat e institucioneve ndërkombëtare për shkallën e varfërisë në Kosovë mbeten alarmante. 45 për qind e qytetarëve jetojnë në varfëri absolute, kurse 18 për qind në varfëri të skajshme.
Premtimet për “jetë të lumtur” nuk kanë reshtur nga të gjitha qeveritë, por gjendja vazhdon të jetë e vështirë. Kurse përplasjet PDK-AAK nuk kanë të ndalur. Thuajse gjithçka në këtë Kosovën e shkretë është OK dhe sharjet e fyerjet e politikanëve janë e vetmja gjë me të cilën duhet të “argëtohemi”.
Në vend se të shkëmbejnë kritika të bazuara, të cilat do të duhej të kontribuonin në përmirësimin e qeverisjes, ata ia kujtojnë njëri-tjetrit se sa kanë vjedhur e po vjedhin ga buxheti i vobektë i Kosovës, kush ka vila në Durrës e kush prona në Dubai e Monte Carlo, kush po tregon më shumë nepotizëm se tjetri e kush kënd e ka të punësuar në RTK.
Në gjithë këtë muhabet, jeta e qytetarëve që ua kanë dhënë votën këtyre njerëzve vazhdon të mos ndryshojë aspak. Rinia e pashpresë pret momentin e parë t’i “gjuhet” Europës, duke mos parë mundësi e shpresë në vendin e vet, ndërkohë qe kontot e politikanëve gogësijnë nga milionat e mbledhur nga rrjepja e vendit, në të cilin përbehen çdo ditë.
Kilometra asfalti mund të shtrojë kjo qeveri, kilometra mund të shtrojnë edhe qeveri që vijnë më pas. Por, formula “barkun thatë e këmbët në asfalt” nuk duket fort e gjetur në kohën kur shpërthimi social është te dera. Njerëzit e lodhur nga skamja dhe injorimi i pushtetit do të thonë një ditë “boll”. Atëherë muhabeti i rrugëve do të shndërrohet në “muhabet në rrugë”. Para se kjo të ndodhë, politikanët duhet të zgjedhin rrugën e duhur për veten dhe ata që i përfaqësojnë. Sepse rruga nuk sjell të mira gjithmonë. Qoftë edhe autostradë.
(Editorial i gazetës “Profil”)


































