Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka konfirmuar arrestimin e Hazir Hazirit nga autoritetet serbe.

Në njoftimin zyrtar thuhet se Haziri u ndalua dje në pikën kufitare në Merdar, gjatë hyrjes së tij në territorin e Serbisë.


“Menjëherë pas marrjes së informacionit për këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është angazhuar përmes kanaleve zyrtare dhe diplomatike për të siguruar informacione të sakta dhe të plota mbi ndalimin e z. Haziri”, thekson MPJD në reagimin e saj.

Ministria ka bërë të ditur gjithashtu se në rast se ndaj Hazirit caktohet masa e paraburgimit dhe iniciohet procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi do të parashtrojë kërkesë për vizitë zyrtare në qendrën e ndalimit.

MPJD njofton se për këtë rast janë informuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të QUINT-it