Mjeku i Silvio Berlusconit, Alberto Zangrillo tha se ish-kryeministri po i përgjigjej mirë trajtimit pasi u shtrua të mërkurën në njësinë e kujdesit intensiv të San Raffaele të Milanos.
Miliarderi i medias dhe drejtuesi i Forza Italia (FI) po trajtohet për një infeksion të mushkërive dhe leukemi kronike.
“Jam i qetë sepse po bëjmë më të mirën”, tha Zangrillo, i cili përveç se është mjeku personal i Berlusconit, ai është edhe kreu i njësisë së kujdesit intensiv ku ai ndodhet, shkruan ansa.
“Dhe jam i qetë sepse kam para meje një pacient, i cili është një mik i madh dhe është një person që është mësuar të japë gjithmonë përgjigjen më të mirë të mundshme. Pra, edhe me një patologji të rëndë dhe në një situatë shumë të vështirë, ai po i përgjigjet mirë trajtimit”, deklaroi mjeku.
Berlusconi deklaroi të premten se “kishte vështirësi”, por se “do t’ia dalë edhe kësaj radhe”.
Muajin e kaluar, miliarderi tashmë kaloi katër ditë në të njëjtin spital dhe u lirua një javë më parë.
Berlusconi hyri në politikë në vitin 1994 dhe ishte kryeministër për gjithsej nëntë vjet. Pavarësisht një sërë skandalesh seksuale dhe procedurash ligjore që dëmtuan imazhin e tij, për disa italianë ai është ende zgjedhja politike. /Telegrafi/