Një ekip mjekësor kroat i Qendrës Klinike “Dubrava” në Zagreb i kanë hequr një paciente 73 vjeçare një tiroide pothuajse dy kilogramë.
Gruaja e shtyu operacionin me vite për shkak se frikësohej nga ndërhyrjet kirurgjike. Tiroidja zakonisht peshon rreth 15 gram, raporton mediumi index.hr.
Kirurgu Tomislav Novosel, i cili kreu operacionin, ka dhënë detaje rreth kësaj ndërhyrje të rrallë.
“Operacioni i tiroides është një ndërhyrje me rrezik të lartë, sepse kemi shumë struktura në një vend të vogël në qafë. Dhe tani që gjëndra tiroide është zmadhuar jashtëzakonisht shumë, anatomia e zonjës nuk kishte asnjë lidhje me anatominë e zakonshme, ndaj duhej kushtuar vëmendje të veçantë strukturave të vendosura në qafë për të shmangur dëmtimet dhe komplikimet, në mënyrë që jeta e saj të mos rrezikohej”, tha mjeku.
Ai më tutje deklaroi se këso operacionesh janë të rralla dhe se ajo u krye me sukses. “Ky operacion kaloi pa komplikime nga fillimi deri në fund. Gjithçka shkoi pa komplikime, pas tre ditësh ajo shkoi në shtëpi”, shtoi Novosel.
Ndryshe, tre në dhjetë burra në vendet perëndimore dhe shtatë në dhjetë gra kanë çrregullime të tiroides ose nyje tiroide. /Telegrafi/