Teatri mitrovicas në këtë festival është prezantuar me shfaqjen "Na, të birtë e shekullit te ri" të autorit Ridvan Dibra e në regji të Ben Apollonit, ku interpretuan aktorët Leonora Hasani, Burim Brahimi dhe Mirsad Ferati.

“Jam jashtëzakonisht i kënaqur që kjo shfaqje e cila u punua me shumë mund dhe pasion më në fund u shpërblye me ketë çmim”, ka thënë Ferati pas ndarjes së çmimit.


Ai tha se të futesh në një konkurrencë kaq te forte dhe me teatro që kanë traditë mbi 50 vjeçare ishte sfide e madhe. “Jam i gëzuar shumë për faktin se kjo shfaqje i parapriu themelimit te teatrit profesionist dhe qe ky teatër për një vit ka fituar dy çmime; në festivalin ‘Adriana’, çmimin “roli dytësor i femrës me shfaqjen ‘Vetmi në Perëndim’ në regji te Ilir Bokshit, e fitoi aktorja, Driada Matoshi dhe tani në festivalin ndërkombëtar ‘Apollon’, çmimin ‘Aktori me i mirë’”.

Ferati ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur, si regjisorin Ben Apolloni, aktoren Leonora Hasani, autorin e dramës Ridvan Dibra, aktorin Burim Brahimi,. Po ashtu ai e ka vlerësuar lartë mbështetjen e kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i cili e ka mbështetur për udhëtimin, menaxheren Marigona Bekteshi si dhe sponsorët e shfaqjes: RaiffeisenBank, MKRS, DKRS, Aeroportin ndërkombëtar "Adem Jashari", Vivianit Mitrovicë, Ndërmarrjen “Trepça”, ndriçuesin Murat Kajtazi etj.

Ndërsa regjisori i shfaqjes, Ben Apolloni, tha se çmimi për rolin “Aktori me i mirë protagonist”, i cili i është ndare aktorit Mirsad Ferati për interpretimin e tij në shfaqjen "Na të birtë e shekullit te ri'" nderon jo vetëm aktorin, por gjithë ekipin e shfaqjes, teatrin e Mitrovicës dhe Fakultetin e Arteve te Prishtinës. “Të marrësh një vlerësim të tillë nga një juri ndërkombëtare në një festival ndërkombëtar është nder i madh”.

Ndryshe në festivalin ndërkombëtar të teatrove që është mbajtur në Fier nga 26 gusht deri me 2 shtator, kanë marrë pjesë 12 teatro nga shtete të ndryshme evropiane. Ky festival organizohet nga Bashkia Fier dhe mbështet nga Bashkësia Evropiane IPA-Adriatik, Bashkia Fier, Ministria e Turizmit, Kulturës etj.

Festivali ka gjithsej 6 selektorë, të cilët përcjellin shfaqjet nëpër vende të ndryshme evropiane, një staf në krye me kryetarin e bashkisë. Këtë vit, në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, të gjitha aktivitet e Festivalit janë mbajtur ne qytetin antik “Apollon”. /Telegrafi/