Sipas Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes, fillimi i kundërofensivës së përfolur nga pothuajse të gjithë politikanët në botë, nuk do të zbulohet në opinion.
Përmes një video të publikuar në rrjetet sociale, ministria e Mbrojtjes e Ukrainës shfaq ushtarët nga fushëbeteja, të cilët kërkojnë heshtje dhe të mos tregohet data se kur do të fillojnë me kundërsulmin e madh ndaj rusëve, transmeton Telegrafi.
Ata vazhdimisht bëjnë me gisht që të mos flitet asgjë dhe thjesht të fillojë kundërofensiva në heshtje – pra pa qenë fare në dijeni forcat pushtuese.
Kjo kundërofensivë është përmendur qysh nga dimri nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili në vazhdimësi ka ripërsëritur se janë duke mbledhur armë nga aleatët perëndimorë për këtë operacion.
Ai madje ka kërkuar nga vendet perëndimore që t’i dërgojnë sa më shumë armë, me qëllimin e vetëm – dëbimin e forcave pushtuese nga territori i Ukrainës.
Kundërofensivën e kanë përmendur edhe zyrtarët e lartë ushtarakë të Kievit, që sipas tyre do të kërkojë kohë për përgatitje dhe një plan të detajuar. /Telegrafi/
"Plans love silence. There will be no announcement of the beginning [of the counteroffensive]," – Deputy Minister of Defense of #Ukraine Maliar. pic.twitter.com/oNa7dG1wDX
— NEXTA (@nexta_tv) June 4, 2023