Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka reaguar me anë të faqes zyrtare pas dhunës dhe ekseseve në ndeshjen mes Ponte Prizrenit dhe Pejës.
Ndeshja vendimtare e gjysmëfinales së play-offit të Superligës në basketboll mes Ponte Prizrenit dhe Pejës është ndërprerë pas pjesës së parë.
Pikërisht pas mbylljes së pjesës së parë ka ndodhur një përleshje e madhe, derisa lojtarët ishin duke u larguar nga parketi për të shkuar në zhveshtore.
Në përleshje janë përfshirë lojtarët e të dy skuadrave, ku kanë shkëmbyer goditje, ndërsa është dukur të jenë përfshirë edhe persona të tjerë.
Pas kësaj ngjarje të shëmtuar ka reaguar edhe ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, i cili ka thënë se kjo dhunë do të adresohet dhe të përfshirët do të marrin dënimin e merituar.
Postimi i plotë pa ndërhyrje i ministrit Çeku:
Shqetësuese janë ngjarjet nga takimi i sontëm basketbollistik mes KB Ponte dhe KB Peja në Prizren, i ndërprerë me vendim të gjyqtarëve. Por, nuk do të kalojnë pa adresim të përgjegjësisë dhe marrje të masave. Sulmet fizike, fyerjet e veprimet tjera anti-sportive do të marrin përgjigjen e merituar.
Jemi duke i grumbulluar të gjitha informatat për incidentin. Për nesër kam ftuar në takim Federatën e Basketbollit të Kosovës, ndërsa të enjtën do të ftojmë takimin e Këshillit kombëtar për parandalimin e dhunës dhe dukurive negative në sport. Ndërkohë presim edhe raportin e Policisë së Kosovës për rastin.
/Telegrafi/